18.12.2017

VV: Në Kuvendin Komunal të Hanit të Elezit do të jemi shumicë

1 Tetor 2017

Lëvizja Vetëvendosje! mbajti tubim zgjedhor në Hanin e Elezit, ku të pranishëm ishin deputetët Albin Kurti, Glauk Konjufca e Donika Kadaj, të cilët së bashku me bartësin e listës për Kuvendin Komunal, Akif Shkreta, ftuan qytetarët e kësaj komune të mbështesin këtë Lëvizje sikurse me 11 qershor.

Deputeti Glauk Konjufca gjatë këtij tubimi ka thënë se Lëvizja VETËVENDOSJE! ka listën më të mirë të kandidatëve për Kuvendin Komunal, të cilët janë njerëz që e duan komunën e tyre dhe angazhohen për zhvillimin e saj.

Ai ka folur edhe për kryetarin aktual të Hanit të Elezit, Rufki Sumën, të cilit krahas vlerësimeve për shumë punë të mira, ia ka përmendur edhe disa të meta qeverisjes së tij. Ndër to, Konjufca përmendi se Suma nuk ka bërë mjaftueshëm në mbrojtjen e ambientit, i cili po dëmtohet veçanërisht me shkatërrimin e pyjeve nga kompani të afërta me pushtetitn qendror.

Kurse, deputeti Albin Kurti tha se Hani i Elezit është komunë e vogël, por tha se ka zemër të madhe. Ai përmendi dyfishimin e numrit të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje! në Kuvendin e Kosovës, duke bërë thirrje për angazhim që të dyfishohet edhe numri i asambleistëve në Kuvendin Komunal të Hanit të Elezit.

Në këtë tubim, Kurti foli për problemet me të cilët ballafaqohen qytetarët e Hanit të Elezit, në veçanti për mungesën e ujit të pijshëm nëpër shumë fshatra, mungesën e çerdheve dhe mungesën e mjekëve në QKMF, për të cilat probleme tha se Lëvizja Vetëvendosje! i ka prioritet për t’iu gjetur zgjidhje. Ndërsa, përmendi edhe shkatërrimin e fabrikave nga procesi i privatizimit, prej ku përfituan politikanë që politikën e shohin si biznes.

Tubimi u përmbyll nga bartësi i listës së Kandidatëve për Kuvendin Komunal të Hanit të Elezit, Akif Shkreta, i cili prezantoi veç e veç kandidatët për Kuvendin Komunal, duke bërë thirrje që tën votohet numri 10 me 22 Tetor, duke e quajtur atë numër të fitores.