18.12.2017

Voton dhe votohet për herë të parë, kjo është porosia e Lirim Hetemit!

23 Shtator 2017

Në gusht të këtij viti, Lirim Hetemi ka mbushur 18 vjet. Në këtë mënyrë e ka fituar të drejtën të marrë pjesë në zgjedhje. Por, jo thjesht si votues i ri, por edhe si kandidat. Ai është kandidat i Vetëvendosjes për Asamblenë Komunale në Skënderaj, një komunë kjo që udhëhiqet që nga paslufta nga PDK-ja.

Në një intervistë për KosovaOnline.info, Hetemi thotë se familja e tij kanë qenë me PDK-në deri më tani, por ai personalisht është i zhgënjyer dhe prandaj ka vendosur t'i bashkohet Vetëvendosjes dhe të garojë për asamblenë komunale në listën e këtij subjekti me numer 19.

Prioritet në fushatën e tij, i riu nga Skënderaj që pasion e ka pikturën, ndërsa studion arkitekturën, thotë se do ta ketë kulturën në Skënderaj, ndërsa ka edhe porosi për rininë e kësaj ane. 

KosovaOnline: Ti sivjet voton për herë të parë, po në të njëjtën kohë edhe garon për asamblenë komunale në Skënderaj, çka do të thotë kjo për ty?

Lirim Hetemi:
Para se gjithash e kam fatin që qytetarë e veçanërisht rinia (ardhmëria jo vetëm e qytetit të Skënderajt) më ka përzgjedhur mua personalisht si i ri që t'i përfaqësojë ata duke e ditur se shumë pak është bërë për ata dhe ato.

Kjo për mua më shumë do të thotë më shumë përgjegjësi sesa krenari, pasiqë si i ri 18 vjeçar më e udhës kishte qenë që të angazhohem vetëm me studime, por duke e parë gjendjen e deritanishme duhet që edhe të sakrifikosh për shoqëri dhe duhet t'i lëmë mënjanë interesat personale. Prandaj duke e parë mbështetjen nga rinia dhe shumë qytetarë të Skenderajt, vendosa.

KosovaOnline: Pse vendose në këtë moshë të re t'i futesh rrugës së politikës, e cila nuk është e lehtë dhe pse pikërisht në Vetëvendosje, kur dihet se Skënderaj tradicionalisht nga paslufta ka qenë bastion i fortë i PDK-së?

Lirim Hetemi: 
Të ju them të drejtën më herët nuk kam mbështetur asnjë parti politike anipse familja ime deri në këtë vit ka qenë me PDK-në, mirëpo për shkak të pakënaqësive të mia personale ndaj instuticioneve komunale e veçmas për rininë, të rinjët, qytetarët e Skënderajt dhe Lëvizja VETëVENDOSJE më propozuan për kandidimin tim për asamble-komunale.

KosovaOnline: Duke qenë se je i ri, me çfarë premtimesh del para elektoratit, sidomos para të rinjve?

Lirim Hetemi:
 Si i ri, shumë aktiv që më njohin me art e kulturë, me fitoren që shpresoj që do ta dëshmojmë së bashku; ndoshta nuk kam kompetencë t'i arrijë qëllimet për misionin që e kam ëndërr pasiqë, ndoshta do të jem opozitë, mirëpo do të mundohem që t'i preki pikat më referente ku më vjen mundësia do t'i preki pikat më referente me ngulm.

Do të mumdohem t'i angazhojë rininë nëpër trajnime, nëpër ekspozita, gara dhe promovime. Do të mundohem që të kontribuojë për Shtëpinë e Kulturës dhe shumë gjëra të tjera në lidhje me rininë.

KosovaOnline: Meqenëse je në departamentin për kulturë në qendrën e Vetëvendosjes në Skënderaj, çka mund t'i ofrosh Skënderajt në aspektin e kulturës më shumë se që është bërë deri më tani?

Lirim Hetemi:
 Meqenëse jam si anëtar në Departamentin për Kulturë, Rini dhe Sport; unë do të mundohem që rininë ta angazhojë me trajnime të ndryshme për t'i informuar për shumë gjëra që i duhen për një të ardhme. Do të mundohem t'i dal krah të drejtave të të rinjve (duke përfshirë nxënësit, studentët, por edhe rininë në tërësi). Për të rinjët që janë të aftë për punë do të insitojë të bëjnë kërkesë që të punësohen.

Pastaj objekti për Kultura "Hasan Prishtina" në Skënderaj duhet të rinovohet, sepse ka një gjendje të vështirë.

KosovaOnline: Cila është porosia jote për të rinjtë që duan të merren me politikë dhe për të rinjtë që votojnë për herë të parë në zgjedhjet lokale të 22 tetorit?

Lirim Hetemi:
 Shpesh e përdori një fjalë të urtë: "Nëse nuk merresh t'i me politikë të pastër e të mirëfilltë, të tjerët do të merren me ty, duke të abuzuar, nënçmuar dhe do të ketë çrregullim total".

Porosia e ime drejtuar rinisë është: Forcohuni, mos iu përkulni askujt përveç Zotit, nuk ka nevojë që i diplomuari t'u përkulet njerëzve "të lartë" për një punë kur ai ka arritur sukses dhe ka diplomuar me meritë personale.

E dashur rini, duhet të bëni ndryshim nëse doni që gjendja juaj të ndryshohet, e për të ndryshuar duhet bashkuar dhe të kontribuoni secili në mënyrë që të zëmë diçka më mirë, sepse popujt tjerë po ecin e ndërsa ne shkaku i partive po shkaktojmë urrejtje.

Bëhuni stoikë e tëpaluhatshëm. Vendos që më 22 tetor të jetë një ndryshim, të jetë një zë i të rinjëve dhe të gjithë qytetarëve të Skënderajt./KosovaOnline.info/
Image may contain: text