22.10.2017

Veseli: Suhareka ka nevojë për 'Forcën e Ndryshimit'

22 Shtator 2017

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga zëvendëskryetari Enver Hoxhaj dhe kandidati për kryetar të Komunës së Suharekës, Blerim Xhemajli, kanë shpalosur vizionin qeverisës për Komunën e Suharekës, e cila sipas Veselit do të ketë investime për një mandat më shumë sesa që ka pasur në dy mandatet e kaluara të qeverisjes së deritashme.
 
“Për zhvillimin e Suharekës, vetëm PDK ka vizion të qartë dhe projekte konkrete. Nuk ka forcë politike që mund të bëjë më shumë, që ka përkrahje më të madhe sesa Blerim Xhemajli që ta zhvillojë Komunën e Suharekës. I ftoj të gjithë qytetarët e Suharekës që të mendojnë për të ardhmen e Komunës së tyre dhe të vendosin për një qeverisje vizionare e cila do ta transformojë Suharekën. Vetëm Forca e Ndryshimit e PDK-së mund të sjell në Suharekë projekte kapitale që sjellin perspektivë zhvillimore”, tha Veseli.
 
Ai deklaroi se qeverisja qendrore e PDK-së do të ndihmojë me projeklte të shumta fermerët dhe bizneset e Suharekës, duke ndihmuar rritjen e tyre dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
 
“Kontrata e PDK-së me qytetarët e Suharekës do të jetë kjo: Nëse PDK nuk do të investojë për katër vite të qeverisjes me Suharekën më shumë sesa 8 vite që ka investuar qeverisja e deritashme këtu, unë zotohem se PDK nuk do të garoj më në Suharekë”, tha Veseli.
 
Zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, nga ana e tij u shpreh i bindur se me 22 tetor, Suhareka do të vendosë për Forcën e Ndryshimit, duke zgjedhur për kryetar të ri Blerim Xhemajlin.
 
“Ky entuziazëm në Suharekë tregon qartë se fitorja e madhe këtu ka ardhur dhe Blerim Xhemajli do të jetë kryetar . Ne duhet ta fitojmë Suharekën që ta zhvillojmë atë dhe ta bëjmë qytet të zhvilluar me perspektivë për të rinjtë dhe për hapjen e vendeve të reja të punës”, tha Hoxhaj.
 
Kandidati për kryetar të Suharekës, Blerim Xhemajli, shpalosi para qindra qytetarëve të Komunës së Suharekës platformën qeverisëse për katër vitet e ardhshme.
 
“Nëse një komunë e Kosovës ka më së shumti nevojë për një forcë të ndryshimit, ajo është komuna e Suharekës. Vetëm një qeverisje e mirë dhe e mbështetur nga qeverisja qendrore e PDK-së mund ta zhvilloj Suharekën dhe ta kthejë atë në një Komunë të zhvilluar ekonomikisht me perspektivë të sigurt”, tha Xhemajli.