17.12.2017

Veseli: Puna e Besim Ilazit, meriton serish besimin tuaj

7 Tetor 2017

Kur ishte koha për të vendosur për emrat e kandidatëve për kryetar të komunave, PDK-ja në Kaçanik nuk kishte asnjë dilemë. Kryetari i deritashëm, Besim Ilazi, me punën dhe të arriturat e tij, pa dyshim se ishte personi më adekuat për tu rikandiduar për Kryetar të Kaçanikut. Kështu ka thënë kreu i PDK-së, Kadri Veseli, para të pranishmëve në tubimin e mbajtur në Kaçanik.  

“Fjalë pak e punë shumë, njeri i sakrificës, familjar dhe i afërt me qytetarë në çdo kohë e rrethanë, kryetar për të cilin më shumë se gjithçka tjetër flasin projektet e shumta që ka realizuar në Komunën e Kaçanikut”, ka thënë kryetari Veseli për kandidatin Besim Ilazi.

Veseli ua rikujtoj të pranishmeve se Ilazi ka bërë shumë punë në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe në përkrahje të fermerëve dhe se shumë shpejt, sipas tij, Kaçaniku do të bëhet pjesë e rrjetit nacional dhe ndërkombëtar të rrugëve përmes autostradës “Arbën Xhaferi”.

“Besim Ilazi është garancia e vetme që zhvillimi në Komunën e Kaçanikut do të vazhdojë”, ka thënë Veseli.

Kreu i PDK-së u premtoi qytetarëve të Kaçanikut se projektet që nxisin iniciativën ekonomike, punësimin e të rinjve dhe projektet në fushën e prodhimit, do ta kenë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës.