18.12.2017

Veseli: PDK po dëmohet se është forcë e parë

2 Tetor 2017

Partia Demokratike e Kosovës mbajti tubim në Prishtinë ku kandidatë të ndryshëm për kryetarë komunash prezantuan platformat e tyre qeverisëse për komunat ku garojnë. Kreu i PDK-së Kadri Veseli tha se ky është një tubim për të dëguar mesazh se PDK-ja është forca e parë. Ai dha edhe premtime për rritje të pagave, pensioneve e ndihmave sociale.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli në një tubim në Prishtinë tha se PDK-ja po dëshmon çdo ditë se është forca e parë dhe partia e vetme që mund ta bëjë ndryshimin. Ai premtoi rritje të pagave për të gjitha kategoritë në Kosovë, sikurse edhe për pensionistët dhe për kategoritë e dala nga lufta. Veseli kërkoi votën e qytetarëve, duke thënë se PDK-ja i ka kandidatët dhe ofertat më të mira që i ofron për qytetarët nëpër gjithë komunat.

Ndërkohë, në këtë tubim disa prej kandidatëve të PDK-së prezantuan platformën e tyre qeverisëse, duke shprehur besimin në fitore. Lirak Çelaj që kandidon për kryetar të Prishtinës tha se PDK-ja si forcë e ndryshimin do ta ndryshojë edhe Prishtinën, ashtu siç e ndryshoi Kosovën.

Edhe kandidati i PDK-së për kryetar të Gjilanit, Zenun Pajaziti parasheh fitoren e tij në këtë komunë.

E Valdete Idrizi kandidate për kryetare të Mitrovicës tha se si bijë e minatorit e ka borxh t’ua kthejë dinjitetin qytetarëve të Mitrovicës.

Edhe Shaqir Totaj kandidat për kryetar të Prizrenit dhe Agim Aliu kandidat për kryetar të Ferizajt, shpalosën pjesë të programit të tyre, duke thënë se kërkesat e qytetarëve do t’i realizojnë me një model qeverisje që për bazë ka transparencën dhe llogaridhënien.