17.12.2017

Veseli: Junikun do ta bëjmë zonë atraktive për turistë

9 Tetor 2017

Pas tubimeve elektorale në Gjakovë dhe Deçan, kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka marrë pjesë në një tubim elektoral edhe në Junik.

Veseli ka thënë se Juniku është qendër e krenarisë sonë kombëtare, por sfidë e përbashkët është që ai të bëhet edhe pjesë e zhvillimit të Kosovës, pjesë e përparimit ekonomik dhe mirëqenies qytetare.

“Ne, Partia Demokratike e Kosovës, vijmë ballëhapur në Junik, sepse kemi bërë shumë për Junikun. Ishte vendim i PDK-së dhe ish-kryeministrit Hashim Thaçi, që Juniku të bëhet komunë dhe ne e mbajtëm fjalën. E gjithë infrastruktura e re e Junikut është ndërtuar me vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të drejtuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Ky përkushtim i Partisë Demokratike të Kosovës për Junikun do të vazhdojë edhe më shumë me Fatos Shalën, si Kryetar të Junikut”, ka thënë Veseli.

Lideri i PDK-së ka thënë se i dinë nevojat e Junikut, porse i kanë edhe mundësitë dhe do t’i përmbushin ato.

“Me Fatos Shalën kryetar, ne do të realizojmë projektin e ndërtimit të rrugës moderne nga Juniku deri në Gjocaj, Jasiq dhe lart në bjeshkë. Kjo do t’i hapë perspektivë turizmit malor, sepse Juniku do të kthehet në një zonë atraktive për turistët nga e gjithë Kosova dhe rajoni”, ka thënë ai.

Forca e Ndryshimit e Partisë Demokratike të Kosovës, Veseli ka thënë se ka për qëllim që t’i shndërrojë komunat e Kosovës në burime të zhvillimit ekonomik.

Ndërsa, kandidati i PDK-së për Kryetar të Junikut, Fatos Shala, ka thënë se platforma e tij qeverisëse është që të gjitha bizneseve të vogla që krijojnë vende pune t’u hiqen taksat dhe gjithashtu, të zhvillojë turizmin në Komunën e Junikut.

Ai ka premtuar ndërtimin e objektit të ri të Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët në Junik, ndërtimin e sallës së sporteve në gjimnazin “Kuvendi i Junikut”, si dhe funksionalizmin për shërbim 24 orësh të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Junik.