21.10.2017

Topalli: Ka më shumë se 10 arsye pse duhet të votohet numri 10 në Ferizaj dhe gjithë Kosovën

24 Shtator 2017

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje! për kryetar të Ferizajit, në tubimin zgjedhor të mbajtur në këtë komunë, ka thënë se me 22 Tetor Ferizaji do të vendosë fuqishëm kundër nënçmimit që i është bërë nga gjitha qeverisjet e kaluara.  

Ai tha se pushteti qëndor në vazhdimësi e ka margjinalizuar Ferizajin, duke kujtuar lënien pas dore të autoudhës që lidhë Ferizajin me Shqipërinë dhe asaj që lidhë këtë komunë me Maqedoninë.

“Pushtetet e deritanishme në Ferizaj asnjëherë nuk u angazhuan të jenë pjesë e projektit të rehabilitimit të hekurudhës që kalon nëpër zemrën e qytetit tonë“, tha po ashtu Topalli, duke shpalosur më pastaj prioritetet e qeverisjes së tij.

“Ne do të ndërtojmë çerdhe të reja, çdo 24 muaj nga dy, do ta fuqizojmë arsimin,punësimin e grave dhe të të rinjve sipas kritereve që vlejnë për të gjithë njësoj. Fëmijët nëpër shkolla do të kenë shujta cilësore dhe siguri. Shkollat do të kenë laboratorë kimie, fizike e biologjie, dhe do të kenë oborre të bukura e me hapësira të caktuara sportive“, është zotuar Topalli para bashkëqytetarëve të tij ferizajas.

Tutje, ai tha se qeveria e tij do ta ketë prioritet të veçantë edhe shëndetësinë, dhe do të investojë më shumë për zhvillimin e artit e kulturës në Ferizaj.

Duke bërë thirrje që të votohet ndryshimi, Topalli ka prezantuar edhe 45 kandidatët për Kuvendin të Ferizajit, për të cilët tha se janë njerëzit që do ta mundësojnë zhvillimin bashkëkohor të kësja komune.

“Vota juaj është shumë e rëndësishme. Jo për mua, për ju. Për familjen tuaj dhe të ardhmen e fëmijëve tuaj. Votoni numrin 10, sepse keni shumë më tepër se 10 arsye!”, ka qenë porosia e Topallit nga ky tubim.