22.10.2017

Tahiri premton kushte më të mira për biznese

24 Shtator 2017

Kandidati i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka thënë se diskriminimi në baza partiake ka qenë shumë i pranishëm në vitet e fundit dhe kjo e ka shtyrë që të hyjë në garë për të parin e qytetit.

Tahiri është zotuar për rritje të transparencës dhe eliminimit të burokracisë në komunë, si hapi i parë i qeverisjes do të ngritët një sistem llogaridhënës sa i përket shpenzimit të taksave të qytetarëve dhe bizneseve.

“Në bashkëpunim me bizneset, ne do të hartojmë politikat që ju përshtaten bizneseve dhe do të ndryshojmë rregullat e kriteret që janë pengesë në afarizëm. Komuna e Vushtrrisë është e njohur për pasuritë e mëdha, sidomos në fushën e bujqësisë. Një pasuri e madhe e komunës sonë është popullsia e re, e shkolluar dhe me shpirt ndërmarrës, të cilës LDK i kushton vëmendje të veçantë në programin qeverisës”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se në nivel nacional LDK ka përcaktuar 10 shtyllat kryesore të Platformës për Zhvillim Ekonomik Lokal, të cilat do të zbatohen edhe në komunën e Vushtrrisë.

“Ne do të ofrojmë kushte më të mira për biznese, rishikimin e taksave komunale dhe mbledhjen e tyre; rritjen e financimit, rregullimin urban në funksion të zhvillimit të biznesit, mbrojtje të mjedisit, zhvillim të transportit dhe infrastrukturës, më shumë subvencione për biznese dhe prodhimin vendor, shërbimet publike efikase, rritje të subvencioneve për bujqësinë dhe zhvillimin rural gjithëpërfshirës etj”, ka thënë Tahiri.