22.10.2017

Surdulli i bindur në fitore

1 Tetor 2017

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të dielën gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë e komunës së Kamenicës se LDK ka programin më të qartë për perspektivën zhvillimore të komunave të Kosovës, njerëzit e saj qeverisin me ndershmëri dhe janë model i sjelljes për të rinjtë.

“Njerëzit e LDK-së kanë qeverisur mirë, pa asnjë aferë korruptive, kanë punuar në të mirë të komunave të Kosovës dhe krejt Kosovës. Ne nuk përçojmë mesazhe të dhunës dhe sjelljeve vulgare, por qeverisim për të mirën e qytetarëve dhe jemi model i sjelljes për të rinjtë e Kosovës", ka thënë Mustafa.

Sipas tij, LDK-ja ka hartuar programin e saj në bashkëbisedim me të gjithë brezat dhe grupet e interesit, për t’u siguruar se ai program realizon aspiratat e qytetarëve.

Mustafa tha se me programin e LDK-së për zhvillimin ekonomik lokal, qytetarëve u ofrojmë perspektivë zhvillimore në komunën e Kamenicës dhe në tërë Kosovën.

Sipas tij, rinia e Kamenicës dhe krejt Kosovës i ka të gjitha parakushtet për të qenë të barabartë në tregun e Bashkimit Evropian.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Kamenicës, Shaip Surdulli, ndërkaq është shprehur i bindur në fitoren e tij dhe të listës së kandidatëve të LDK-së për Kuvendin Komunal të Kamenicës.

“Arsyeja pse jam kandiduar është për të fituar dhe për të punuar për të tashmen dhe të ardhmen e Kamenicës. Ngado po shohim mbështetje për rikthimin e qeverisjes së LDK-së në komunën e Kamenicës”, ka thënë Surdulli.

Ai ka thënë se LDK e ka listën më të mirë të kandidatëve, mbi 30 për qind të rinj e të reja. “Kemi program që garanton perspektivë zhvillimore dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e Kamenicës.
Programi ynë për rininë ka prioritete të përcaktuara nga vet të rinjtë”, ka thënë Surdulli.

Ai ka premtuar kthimin e shpresës për qytetarët e Kamenicës, të cilët, sipas tij, janë të pakënaqur me qeverisjen e katër vjetëve të kaluara.

.