21.10.2017

Selim Pacolli thotë se vizioni i tij për Prishtinën ofron zgjidhje shumëvjeçare

5 Tetor 2017

Qytetarë të lagjeve dhe vendbanimeve të ndryshme të Prishtinës, duke filluar nga Kolovica, Kodra e Trimave, Dardania, Shkabaj, Hajvalia i dhënë mbështetje kandidatit të AKR-së për Prishtinën, Selim Pacollit.

Në takimin me qytetarë, Selim Pacolli i falënderoi përkrahësit e shumtë, duke u thënë se programi i tij, është programi i tyre dhe që premtimet e tij do të kthehen në përkrahje konkrete për ta, në përmirësimin e cilësisë së jetesës dhe pamjes së qytetit, lagjeve dhe zonave rurale.

Me një fjalë rasti, takimin e përshëndeti ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, lideri i Aleancës Kosova e Re, njëherësh zëvendëskryeministër i Republikës së Kosovës, z. Behxhet Pacolli. Presidenti Pacolli u shpreh se ndjehet krenar që kandidati i Aleancës Kosova e Re për Prishtinën, tashmë ka përgatitur projekte të mëdha për problemet e shumta të Prishtinës.

Ndërkaq, Selim Pacolli tha se vizioni i tij për Prishtinën nuk është vetëm për një mandat, sepse ai synon që të ofrojë zgjidhje shumëvjeçare për kryeqytetin dhe problemet kryesore të tij, gjithashtu premtoi se me ardhjen e tij në krye të Prishtinës, ai do të sjellë edhe shumë investitorë të huaj në Prishtinë, të cilët do të krijojnë mundësi të reja për të rinjtë dhe vende të shumta të punës.