18.12.2017

Ramiz Lladrovci zotohet se do të përkrah bizneset, do të heq taksën për leje operimi

12 Tetor 2017

Kandidati për Kryetar të Drenasit dhe kryetari aktual, Ramiz Lladrovci, ka takuar sot, pronarët dhe përfaqësuesit e bizneseve të komunës së Drenasit, ku diskutoi për ecurit e zhvillimit ekonomik, puna 8 mujore si dhe planet për mandatin e ardhshëm, në veçanti për zhvillimin ekonomik.

“Zotohem se taksën e Lejes së operimit, ndër mbledhjet e para do ta heq, me ndihmën e asamblistëve të PDK-së që do ta kemi shumicën pa dilemë, duke qenë motiv dhe kursim për ushtrimin e veprimtarisë dhe përkrahje nga komuna”, theksoi Z. Lladrovci, në fillim të takimit.

Po ashtu, Lladrovci diskutoi rreth shpronësimit dhe procedurave te zona e Parkut të ri të biznesit dhe ndërtimit të stadiumit olimpik, premtime për investimet kapitale nga niveli qendror dhe të gjitha premtimet e realizuara nga Kadri Veseli për Drenasin dhe qytetarët e saj, duke u zotuar se investimet kapitale do të ndryshojnë një herë e përgjithmonë çështjet infrastrukturore dhe kushtet tjera që jetën e qytetarit në Drenas e bëjnë të dinjitetshme dhe të lakmueshme për të gjithë.

Lladrovci, theksoi se falënderon stafin e komunës për disiplinën në dikasteret ku qytetarit i ofrohen shërbime të drejtpërdrejta, si administrata, arsimi, shëndetësia, mirëmenaxhimi i subvencioneve, donacionet. Po ashtu theksoi se vizitat jashtë shtetit dhe partneritetet me shtetet e huaja për të mirën e Drenasit dhe qytetarëve të saj.

“Zhvillimi ekonomik, mirëqenia e qytetarëve dhe ngritja e cilësisë së jetës së qytetarëve janë synimet tona, synimet e PDK-së dhe Forcës së Ndryshimit”, theksoi kryetari Lladrovci duke shtuar se të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe zbatimi i ligjit është pika e fortë e qeverisjes në Drenas.

Lladrovci demantoi thashethemet se në Drenas po ngulfatet biznesi, duke e quajtur propagandë e fushatë e ultë që dëmton vet bizneset e Drenasit.

“Kam deklaruar dhe ritheksoj se bizneset të cilat, para mandatit tim kanë ekzistuar dhe zhvilluar veprimtari, nuk do të ndërmerret asnjë veprim që dëmton punën e tyre. Sepse, ne nuk jemi të motivuar mbylljen e bizneseve por shtimin e tyre. Ne ofrojmë kushte dhe ofrojmë shërbime që përkrahin dhe ndihmojnë biznesin, jo vetëm këto ekzistuese, por edhe bizneset që do të vijnë në Parkun e ri të biznesit”, theksoi Lladrovci, por shtoi se kushdo që ka pasur ndalesa për ndërtim dhe ka paralajmërime zyrtare të mos ndërtoj në pronë të uzurpuar, do të zbatohet ligji.

Lajm i mirë për bizneset, theksoi Lladrovci, është edhe donacioni për trafostacionin e ri, me vlerë 7.4 milion euro, që do të jetë gati në gushtin e vitit të ardhshëm dhe bizneset nuk do të pësojnë më dëmtime të veprimtarisë as pengesa me pasoja për të operuar në Drenas. Trafoja e re do të furnizoj Parkun e biznesit me rrymë por do të heq edhe vështirësitë e furnizimit me rrymë edhe për ekonomitë familjare.

Kursimet e buxhetit për mallra dhe shërbime, mbledhja e tatimeve dhe detyrimeve ndaj komunës, realizimi i tenderëve duke i përfunduar më 7 shtator të gjitha, puna me standarde në investimet kapitale, realizimi i të gjitha premtimeve duke i tejkaluar ato, ishin disa nga pikat e diskutimit, duke kërkuar mbështetje nga bizneset, do të kenë përkrahje të pa rezervë nga komuna dhe administrata komunale, duke lehtësuar dhe duke subvencionuar me mundësitë që ofron komuna.