17.12.2017

Prioritete të Muhaxherit në Pejë janë turizmi, bujqësia dhe arsimi

7 Tetor 2017

Tryeza e katërt me radhë e LDK-së me bizneset u mbajt në Pejë, ku kryetari i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se për këto katër vjet qeverisje kemi treguar se jemi liderë në zhvillimin ekonomik, kemi punuar shumë, ndërsa platforma jonë për mandatin e ardhshëm do të mbështetet në 15 shtylla.

Ai ka theksuar se shtylla kryesore do të jetë turizmi, pastaj bujqësia dhe arsimi si sektor që i ndihmon dy të parët.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se LDK ka punuar shumë me ekspertët e saj për të krijuar platformën për secilën komunë, varësisht nga specifikat e tyre.

“Kemi vlerësuar se prioritet i qeverisjes lokale duhet të jetë zhvillimi ekonomik lokal, pasi llogarisim se gjithçka duhet të ndërtohet mbi bazën e këtij zhvillimi”, ka theksuar Mustafa.

Ai ka shtuar se, tryezat e mbajtura deri tani, në Prishtinë, Prizren e Gjakovë kanë treguar se kjo ide e shpalosjes së platformës është e qëlluar, ndërkohë që ka shprehur bindjen se do të tregojë efektet e saj në zhvillimin e komunave, të cilat natyrisht që do ta forcojnë lidhjen edhe me nivelin qendror.

Mustafa e ka vlerësuar lart kontributin e aktivistëve të LDK-së derisa është shprehur optimist se në zgjedhjet e 22 tetorit, LDK-ja do të dalë me rezultate shumë të mira.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka përsëritur faktin që është hera e parë që një parti politike po i qaset zhvillimit ekonomik lokal me këtë lloj platforme dhe këtë po e bën LDK-ja.

Punësimi i të rinjve, përkrahja e tyre në biznese, çështjet e urbanizmit, infrastruktura, arsimi, ambienti e të tjera janë vlerësuar si prioritete të programit qeverisës të LDK-së.

Deputetja Hykmete Bajrami gjatë diskutimit të saj rëndësi të veçantë i ka kushtuar bujqësisë, sektor për të cilin ka premtuar angazhim të madh edhe në Kuvendin e Kosovës. Ajo ka kërkuar që komunat të kenë më tepër kompetenca pasi qendra ka distancë të madhe me fermerët.

“Drejtoratet e komunave mund t’i vizitojnë shumë më shpesh fermerët dhe kjo mund të jetë shumë më racionale si dhe të ketë ndikimin e vet”, ka thënëdeputetja Bajrami, e cila ka shtuar se në Pejë dhe Istog është krijuar infrastruktura dhe tani duhet kaluar në një fazë më të avancuar të zhvillimit.

“Ajo që na dallon nga të tjerët është fakti që LDK-ja të gjitha politikat ekonomike dhe fiskale i bën në konsultim me komunitetin e biznesit”, ka theksuar Bajrami.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri ndër të tjera ka thënë: “Kemi punuar shumë në tre vjetët e kaluar për të realizuar projektin ‘Borea’, i cili i mundëson Komunës së Pejës zhvillim të hovshëm ekonomik. Projekti i teleferikut i mbështetur edhe nga bujqësia e mundëson hapjen e shumë vendeve të punës dhe shndërrimin e Pejës në një destinacion të rëndësishëm turistik. Këto dy sektore ne i shohim si asete të rëndësishme të zhvillimit të tërë Rajonit të Dukagjinit”.

Muhaxheri ka folur edhe për shumë projekte tjera, të parapara për mandatin e ri qeverisës.