21.10.2017

Pacolli: Duhet një zgjidhje radikale për largimin e qeneve endacakë nga kryeqyteti

28 Shtator 2017

Kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës, Selim Pacolli, ka bërë publik platformën e tij qeverisëse për higjienën dhe për sigurinë në rrugët e kryeqytetit, ku për këtë të fundit ai si problem paraqiti qentë endacakë.

Ai tha se disa ditë më herët një fëmijë është sulmuar nga qentë, duke iu rrezikuar jeta.

Pacolli tha se duhet të gjendet një solucion radikal, por duke përjashtuar vrasjen e tyre.

“Si duhet ne duhet të gjejmë një solucion më radikal pasi është në pyetje jeta e njerëzve, në këtë rast nuk është në pyetje jeta e kafshëve por është jeta e njerëzve, sepse fëmijët tanë i ekspozohen çdo herë rrezikut nga ta. Eliminimi imediat nga qyteti, të qohen diku. Cila do të jetë besoj që do të gjejmë solucionin, por për neve është esenciale jeta e njerëzve dhe siguria e fëmijëve në rrugë, nënave me fëmijë që janë, pleqve të cilët çdo ditë i kanosen këtij rreziku dhe unë konsideroj që në një mënyrë ma të drejtë që ata duhet të eliminohen një herë e përgjithmonë nga rrugët se janë rrezik për ne. Nuk do të thosha vrasjen, se ne nuk kemi të drejtë t’ia marrim jetën askujt, mirëpo duhet të zgjidhet”, tha ai.

Ndërsa, sa i përket menaxhimit me mbeturina Pacolli tha se qeverisja aktuale e Prishtinës nuk ka bërë asgjë për këtë gjë.

Ai mori një shembull kur tha se çdo ditë kalon nga rruga “Fehmi Agani” dhe se çdo ditë ka kundërmim të kontejnerëve nga pajisjet toksike të cilat hidhen nga QKMF që gjendet në atë rrugë.

Pretendenti për të parin e kryeqytetit nga AKR, Selim Pacolli, tha se me ardhjen e tij në krye të Komunës pastrimi i kontejnerëve do të bëhet gjatë natës ose herët në mëngjes, për të mos penguar qarkullimin gjatë ditës.

Gjatë prezantimit të kësaj platforme Pacolli ishte i shoqëruar edhe nga kandidatët për asamblistë për Kuvendin komunal të Prishtinës.