22.10.2017

Nisma për Kosovën mbajti tubim zgjedhor në Lipjan, Drenas e Prizren

25 Shtator 2017

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Jakup Krasniqi në takimin në Lipjan tha se ka ardhur koha që këtë komunë dhe komunat tjera t’i qeveris Nisma për Kosovën, si parti progresive e orientimit të majtë.

Krasniqi pati fjalë të mëdha për kandidatin për kryetar të Lipjanit Heset Sahiti, teksa tha se është fat për qytetarët e kësaj komune ta kenë një kryetar të tillë. “Bile thënë të drejtën është pak. Heset Sahiti meriton më shumë sesa të jetë kryetar i Lipjanit\", tha Krasniqi.

E Sahiti nga ana tjetër teksa shpalosi programin e tij qeverisës tha se bujqësia do të jetë prioriteti kryesor, ndërsa përmendi edhe 10 prioritete për këtë sektor. \"Dyfishimi i buxhetit me grante për ngritjen e serrave nga 1 ne 2 ari. investimi kapital në sektorin e bujqësisë, ndërtimi i një tregu deri në 300 mijë euro. Kjo do të kërkohet nga donatorët dhe qeveria. mbështetja e agrobizneseve \", tha Sahiti.

Edhe në Drenas, kandidati i Nismës, Isa Xhemajlaj prezantoi projektin e tij për Drenasin, duke i dhënë prioritet edhe biznesit. “Prioritet i yni do të jetë mbështetja për zhvillim dhe zgjerim të bizneseve ekzistuese, si dhe krijimi i kushteve më të favorshme për biznese të reja. Krijimi i kushteve për investitorët. Dhënia për shfrytëzim e hapësirave komunale me qëllim të krijimit të vendeve të reja të punës”, tha Xhemajlaj.

Ndërkaq kandidati i kësaj partie për kryetar të Prizrenit, Zafir Berisha u bëri thirrje qytetarëve, që ta mbështesin në rrugëtimin e tij, siç tha ai, për ta ndalur krimin në këtë komunë.

Berisha shprehu bindjen se numri 31 do të triumfojë në Prizren, ndërsa kërkoi nga qytetarët që ta përcjellin mesazhin e fitores nëpër çdo fshat e në çdo lagje.