18.12.2017

Lutfi Haziri merr përkrahje nga qytetarët e Livoçit të Ulët

8 Tetor 2017

Një tubim me pjesëmarrje masive të simpatizantëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës është parë sot në Livoçin e Ulët, banorët e të cilit konfirmuan besëlidhjen e madhe me Lutfi Hazirin dhe LDK’në për zgjedhjet e 22 tetorit.

Kandidati i LDK’së për kryetar të Gjilanit për edhe një mandat, Lutfi Haziri, u shpreh falënderues për këtë përkrahje enorme të livoçasve për të dhe Lidhjen.

“Faleminderit kryefamiljarë, të rinj dhe të reja për këtë madhështi. Me 22 tetor duhet ta kryejmë punën dhe të mos mundohemi të dalim sërish. Livoçi i Ulët dhe Blinaja po dëshmon këtë mobilizim dhe angazhim. Tash Livoçi nuk është fshat, por lagje e qytetit, të cilin kemi me trajtu edhe me plan urban dhe me investime. Rruga hyrëse dhe dalëse Gjilan-Livoç i Ulët, është investim kapital dhe kjo rrugë do të vazhdoj deri në Kllokot”, ka thënë Haziri.

Haziri ka premtuar me këtë rast edhe investime tjera të mëdha infrastrukturore në këtë pjesë, ndërsa ka shtuar se investimi më madh në histori të Gjilanit është Autostrada.

“Tashmë buxheti për këto dhe projekte të tjera është i siguruar. Një pjesë nga ana e qeverisë, për të cilat unë do të jem gardian i mbrojtjes së këtyre mjeteve dhe një pjesë nga partnerët tanë nga Europa dhe Amerika”, tha Haziri, duke kërkuar që të përkrahet lista e LDK’së, e cila është e pastër si loti dhe janë profesionistë të vërtetë të profileve të tyre.

Kryetari Lutfi Haziri tha se do të vazhdojmë edhe për katër vite me subvencione të mëdha për bujqësinë, duke e forcuar kështu familjen gjilanase. Në këtë tubim madhështor është prezantuar edhe kandidati për këshilltar komunal nga kjo zonë, Riad Elezi, me numër 20.