17.12.2017

Limaj në Leposaviq: Dora e shtetit duhet të ndjehet në këtë pjesë

10 Tetor 2017

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka vizituar banorët e fshatrave me shumicë shqiptare në komunën e Leposaviqit. Ndalesa e parë ishte në komunën e Kusbtovës.

Ai vizitoi edhe Qendrën e Mjekësisë Familjare dhe zyrën cilivile në këtë komunë e i cili ishte ndërtuar që  dy vite mirëpo nuk ishte funksionale për shkak të mungesës së inventarit.

Mungesa e transportit, infrastrukturës rrugore, investimeve, ishin disa nga problemet që banorët e kësaj ane shpalosën para kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj.

Bartësi i listës së Nismës, në Leposaviq, Xhemshit Bekteshi, tha se shpreson shumë që do të arrijnë shumë gjëra të realizohen me Nismën në qeverisje.

“Infrastruktura, shëndetësia, mjeku vjen një herë në javë dhe me shumë vështirësi, në fushën ekonomike sa i përket punësimit jemi shumë mbrapa. Jemi shumë të anashkaluar”, tha Bekteshi, raporton EkonomiaOnline.

Ndërsa kryetari i Nismës,  njëherësh edhe zëvendëskryeministri i Kosovës,Fatmir Limaj tha se në këto pjesë nuk mund të flas në baza partiake por në atë shtetërore.

“Këtu nuk mundem me fol mbi baza partiake këtu duhet me fol si shtet,  këtu neve nuk na intereson çfarë partie politike i takojnë. Keni pasur telashe e probleme të shumta. E di që prisni me i zgjidh problemet dhe besoj që koha e llafeve ka përfunduar”, tha Limaj.

Më tej Limaj tha se pret nga dora e shtetit, që të veprohet në këtë vend.“Po pres që dora e shtetit me u ni fort në këtë vend, ajo çka mundem me ju siguru është që atje keni me pas një zë të rëndësishëm në trajtimin e problemeve dhe nevojave tuaj”, theksoi ai.

Ai banorëve të kësaj pjese të komunës së Leposaviqit iu bëri apel që të mos largohen nga vendi i tyre.Limaj ndër të tjera tha se do të jetë zë i kësaj zone në Qeverinë e Kosovës.