21.10.2017

Limaj: Në Kosovë ka ardhur koha për Nismën

29 Shtator 2017

Nisma për Kosovën edhe zyrtarisht ka hapur fushatën zgjedhore në Fushë Kosovë, ku është bërë shpalosja e prioriteteve qeverisëse dhe prezantimi kandidatëve për asamblistë të kësaj komune.

Zhvillimi ekonomik, zhvillimi social, urbanizmi dhe mbrojtja e mjedisit, janë prioritet kryesore që Nisma për Kosovën ka për qytetin e Fushë Kosovës në mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, është zotuar se Fushë Kosova do të jetë pikënisja e ndryshimeve që do të ndodhin në Kosovë, pasi që ka ardhur koha për Nismën.

Ai ka thënë se Nisma për Kosovën ka kapacitet dhe dije për t’u marrë me problemet e qytetarëve dhe të ofrojë zgjidhje adekuate.

“Besojmë fort që kjo frymë e ndryshimit në të cilën është përfshirë e gjithë Kosova, do të duhej të ishte Fushë Kosova pikënisja e atyre që do të ndodhin. Ne kërkojmë votën e besimit, votën e ndërtimit të një relacioni dhe marrëdhënie ndërnjerëzore dhe përfaqësuesit tuaj. Ju ftojmë që në këto zgjedhje edhe Fushë Kosova ta shfrytëzojë mundësinë e ndryshimit, ta shfrytëzojë mundësinë e kalimit të një qeverisje në një qeverisje tjetër. Presim nga Fushë Kosova që të mbështet Dritonin dhe ekipin e tij, duke votuar numrin 31. Në Kosovë ka ardhur koha për Nismën dhe kjo presim të vijë edhe në Fushë Kosovë”, ka thënë Limaj.

Kandidati i Nismës për kryetar të Fushë Kosovës, Driton Ademi ka thënë se kjo parti ka hyrë në kursin e demokracisë krijuese, duke ofruar afërsinë bashkëpunuese dhe bashkëvepruese me qytetarin.

Ai tha se Nisma për Kosovë garon me kandidatë të kualifikuar me mjekë, veteranë të luftës, akademikë, listë kjo e cila do ta begatojë jetën institucionale të Fushë-Kosovës, ndërsa ka ftuar qytetarët që më 22 tetor të dalin masivisht në zgjedhje dhe të votojnë për numrin 31.

“Do të jeni bashkëpronarë në qeverisje dhe do të hapim mundësinë e një konkurrence vlerash për veten tuaj dhe për të gjitha duke larguar frikën e moçme diskredituese të Fushë Kosovës duke rikthyer dinjitetin e çdo qytetari. Nisma në këto zgjedhje hyn me prioritetet e saj, e që si të ranguara janë: zhvillimi ekonomik, zhvillimi social, urbanizmi dhe mbrojtja e mjedisit”, ka thënë ai.

Kandidati i Nisma për të parin e Fushë Kosovës ka ftuar qytetarët që të dalin masivisht në zgjedhjet e 22 tetorit dhe të votojnë numrin 31, në mënyrë që të rikthejnë dinjitetin e çdo qytetari.