18.12.2017

Limaj godet kundërshtarët e Zafës në Prizren, thotë se s’kanë bërë asgjë për vendin

6 Tetor 2017

Nisma për Kosovën, dega në Prizren ka mbajtur tubim elektoral në lagjen e Trimave në Prizren. I pranishëm në këtë tubim ishte edhe zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.

Limaj deklaroi se Prizreni është para një vendimi të madh dhe të rëndësishëm. Para një mundësie, e cila, sipas tij, nuk vjen shpesh.

“Nëse qytetarët e Prizrenit, sidomos këto vitet e fundit kanë pasur ankesa dhe janë ndier të pa përfaqësuar nga qeverisja komunale, atëherë e kanë mundësi për ta bërë ndryshimin më 22 tetor. Koha është me fole populli dhe ju duhet të flisni më 22 tetor. Më ia dhanë mundësinë ndryshimit. Është koha me u ngritë dhe më ia dhënë një mundësi këtij qyteti të mrekullueshëm. Ndryshimi nuk vjen nga një takim dhe nuk vjen në ditën e votimit, por ndryshimi vjen, nëse të gjithë nga ne ia bëjmë nga një argat këtij ndryshimi”, ka thënë Limaj në Prizren.

Ne sonte jemi këtu për t’ia dhënë një mundësi Prizrenit. Limaj ka thënë se nuk njeh askënd, i cili është i gatshëm të punojë me aq shumë pasion për Prizrenin. Prizreni e dëshiron dikë, i cili nuk ka orar punë, por Prizrenit i duhet një kryetar si Zafir Berisha.

“Prizrenit i duhet një kryetar, i cili i kryen të gjitha kërkesat qe kanë qytetarët. Një kryetar, i cili i ndjenë hallet dhe problemet e qytetarëve të Prizrenit. Mos lejoni me iu humbë shansa e ndryshimit. Ai që më së paku humb është Zafir Berisha, por po i humbet mundësia shumë njerëzve të ri të Prizrenit”, ka shtuar Berisha.

Tutje, lideri i Nismës ftoi qytetarët që të angazhohen të gjithë për ta bërë Zafir Berishën në Prizren.

\"Zgjohuni të gjithë, këto ditë qe na kanë mbete t’ia bëjmë një argat Zafir Berishës dhe Prizrenit në përgjithësi. Fryma e ndryshimit, duhet të frymojë në secilën lagje të Prizrenit. Ndryshimi duhet të ndodhe me njeriun me adresë dhe ai është Zafir Berisha”, ka theksuar Limaj.

Limaj ka thënë se kundërshtarët e Berishës në Prizren janë inferior karshi kandidatit të Nismës.

Ai ka thënë se qytetarët duhet të kenë kujdes kë e votojnë. Prizreni, sipas tij, nuk ka zgjedhje.

“Kundërshtarët e Berishës nuk kanë bërë asgjë për Prizrenin. Në kohën kur duhej t’i bëhej një argat Prizrenit dhe Kosovës, ata nuk kanë bërë asgjë.”, ka përfunduar Limaj.

E, pretendenti për kryetar të Prizrenit nga radhët e Nismës për Kosovën, Zafir Berisha ka thënë se si Nismë për Kosovën janë të vendosur për ta ndryshuar pushtetin në Prizren. Nisma, sipas tij, është e gatshme ta çliroi Prizrenin nga korrupsioni.

“Sot, përsëri jam me ju me djemtë dhe vajzat për të kërkuar besimin e juaj qe bashkërisht të ndryshojmë situatën në Prizren, dhe institucionet komunale t’i vëmë në shërbim të qytetarëve të Prizrenit dhe lagjes Tusuz.

Deputeti Berisha ka thënë se nëse e merr drejtimin e Prizrenit, ai do t’ia kthejë dinjitetin qytetarëve të Prizrenit.

Secili qytetarë, sipas tij, do të ndihet krenar nën qeverisjen e Nismës në Prizren.

Berisha ka prezantuar edhe kandidatët për asamble të Prizrenit nga kjo lagje.