17.12.2017

LDK lanson ‘Lidhjen’ për fitore në komunat e Kosovës

21 Shtator 2017

Në hapje të fushatës për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë të enjten se jo vetëm anëtarët e simpatizantët e LDK-së, por të gjithë qytetarët e komunave që kemi udhëhequr në këto katër vitet e fundit, janë dëshmitarë se si LDK qeveris mirë, me duar të pastra dhe në mënyrë transparente.

“Pushteti lokal që do të qeveriset nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në secilën prej komunave, do të jetë qeveri lokale e të gjithë qytetarëve, të cilëve do t’u shërbejë, pa asnjë dallim. Ne e kemi dëshmuar këtë në komunat që kemi qeverisur, prandaj duam t’u japim qeverisje të mirë edhe komunave tjera”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se qeveria qendrore e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka ndërprerë praktikat diskriminuese ndaj komunave të caktuara, ka shtrirë mbështetjen e qeverisë në të gjitha komunat e Kosovës dhe këtë e kanë vërejtur qytetarët e Kosovës.

Ai ka thënë se duke dalë masivisht në zgjedhjet e 22 tetorit dhe duke votuar kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetarë të komunave dhe për Kuvendet Komunale, do t’ia rikthejnë vendit tonë imazhin e mirë dhe respektin e mbarë botës.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës e kishte dhe vazhdon ta ketë rrugëtimin politik të bazuar në tri shtylla të forta: liri, pavarësi dhe demokraci, ideuar nga Presidenti ynë historik Ibrahim Rugova.

“Vetëm LDK-ja e ka programin dhe njerëzit kompetentë e me duar të pastra, për të qeverisur komunat e Kosovës, në shërbim të qytetarëve. Kandidatët tanë janë njerëz me biografi të pastër, profesionistë të dalluar dhe të përgjegjshëm para qytetarëve”, ka thënë Abrashi.

Ai ka shtuar se Programi i LDK-së për qeverisjen katër vjeçare në kryeqytet dhe në të gjitha komunat e Kosovës, nuk është i bazuar në fjalë të mëdha, por në veprime konkrete nga njerëz të dëshmuar dhe të përgjegjshëm.

“Këto katër vjet që shkuan, ishin katër vite të humbura për kryeqytetin tonë. Ne nuk e kemi luksin dhe nuk duhet të lejojmë që Prishtina të humb asnjë ditë tjetër. Nuk e kemi luksin dhe nuk do të lejojmë që cilado komunë e Kosovës të humb ndonjë ditë”, ka thënë Abrashi.