21.10.2017

Kurti në Dardanë: Le ta bëjmë ndryshimin që e duam

30 Shtator 2017

Në tubimi zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje! në Dardanë, deputeti Albin Kurti, ka thënë se ky qytet i ka dhënë shumë Kosovës, por pas përfundimit të luftës, ai tha që ky qytet u dënua me moszhvillim dhe copërim përmes decentalizimit mbi baza etnike.

Por, ai tha se Dardanës do t’i kthehet edhe zhvillimi, edhe bashkimi, me zgjedhjen e Qëndron Kastratit në krye të saj.

“Lëvizja Vetëvendosje! në ekonomi e do prodhimin, në institucione e do drejtësinë, në shoqëri e do barazinë e në komb e do bashkimin. Ky është orientimi ynë i cili na ka sjellur deri këtu, dhe ky është orientimi ynë me të cilin do të ecim përpara“,  ka thënë Kurti në këtë tubim.

Kurti ka thënë se qytetarëve të Dardanës iu duhet Lëvizja Vetëvendosje! sepse ata duhet të lëvizin nga gjendja e rëndë aktuale, duke ftuar qytetarët të bëhen bashkë me VV-në sepse vetëm ashtu është e mundshme fitorja.

”Le të mos jetë e ardhmja sikurse e kaluara. Le ta bëjmë ndryshimin që e duam. Le ta përbëjmë ndryshimin që e duam. Le ta bëjmë Qëndronin kryetar“, ishte porosia e Kurtit për qytetarët e Dardanës, të cilëve iu bëri thirrje që të votohet kandidati i VV-së për kryetar të kësaj komune, Qëndron Kastrati.