18.12.2017

Kurti: Me qeverisjen tonë s’do të ketë haraç e korrupsion në Prizren

21 Shtator 2017

Në tubimin e VV’së në Prizren, para qytetarëve ka folur deputeti Albin Kurti, i cili u shpreh i bindur se 22 tetori do të jetë dita kur kjo komunë do të vendosë për Mytaher Haskukën kryetar të saj. Ai tha se VETËVENDOSJE! nuk ka mundur të gjejë vend më të mirë se Prizreni për ta hapur fushatën.

Kurti tha se numri 10 do të jetë numri i fitores, me ç’rast tha se këtë numër që e ka VV në këto zgjedhje është numri që i përket neonit në sistemin periodik.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! do të jetë si neoni, edhe fisnike, edhe ndriçuese”, tha deputeti Kurti, duke shtuar se VV nuk bën ndriçim elektoral, por angazhohet që ta largojë terrin e përditshëm.

Ai më tej shtoi se deri më sot komunat kanë qenë perjashtuese, dhe se ato kanë diskriminuar popullin, ndërsa shtoi se me qeverisjen e VV’së  komuna do të jetë hapësirë që iu takon qytetarëve

“Me neve s’ka më haraç, e s’ka më korrupsion. Jo vetëm pse jemi të fortë, por pse jemi idealistë”, tha ndër të tjera Albin Kurti në Prizren.

E teksa foli për prioritetet qeverisëse të VV’së, ai bëri me dije se me qeverisjen e VV’së, toka bujqësore s’do të shndërrohet në toka ndërtimi.

“Kosova nuk ka as tokë per të shitur, as tokë për të lënë djerrë. Nuk ka ujë për të humbur e as ujë për të ndotur”, theksoi po ashtu Kurti.