21.10.2017

Konventa e AAK-së: Haradinaj nënshkruan “Deklaratë Zotimi” me kandidatët për kryetarë komunash

8 Tetor 2017

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), sot, ka mbajtur Konventën për Komunat e Kosovës,  e cila është mbajtur në Pejë, dhe kanë marrë pjesë të gjithë kandidatët për kryetar të komunave të kësaj partie.

Kreu i AAK-së, njëherësh edhe kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, i cili ka nënshkruar Deklaratë Zotimi, me secilin kandidat për kryetar komunash, ka thënë se nuk do të këtë më ankesa, por vetëm punë për t’i zgjidhur problemet e Kosovës.

“Ka ardh koha e AAK-së. Nuk ka më ankesa. Puna ime si kryeministër do të koordinohet ngushtë me punën e juj, si kryetar të Komunave. Askush nuk duhet me mbete i padëgjuar.  Unë bashkë me ju, do të punojmë që t’i zgjidhim problemet urgjente menjëherë. Qytetarët e Kosovës, vuajnë nga pabarazia. Për gjendjen aktuale fajtor jemi ne. Ka ardh koha t’i japim fund tranzicionit. Unë bashkë me ju do të kujdesemi që të gjithë banorët e Kosovës të ndjehemi të barabartë me juve”, ka thënë Haradinaj.

Thotë se asnjë pacient nuk duhet të vdesë në spitalet e shtetit në mungesë të parave dhe se nuk do të ketë më pritje për operime.“Gjyqtarë e Prokurorë,  nuk duhet të frikësohen, ne do të bëjmë sistemin gjyqësorë të jetë i lirë. Politika jonë është politikë e djathtë, jemi aleatë me bizneset sepse jemi këtu për t’ju shërbyer atyre  atyre”, tha Haradinaj, raporton EkonomiaOnline.

“Peja është djep i ekonomisë së Kosovës, jo rastësisht po mbahet kjo Konventë, këtu, sepse ekonomia ndërtohet me pejanët”, theksoi ai.Haradinaj foli gjithashtu edhe për Veriun e Mitrovicës.“Ura nuk do i ndajë shqiptarët por do t’i bashkojë. Do të shkojmë edhe në komunat serbe për t’ia zgjatur dorën serbëve e shqiptarëve, për t’iu treguar që shteti është i joni dhe duhet ta duam atë”, ka thënën më tej Haradinaj.

“Prishtinë bashkë me Arbërin do të bëjmë Metropol”, ka premtuar Haradinaj.Ndryshe, 25 kandidatë për kryetar të komunave kanë nënshkruar një “Deklaratë Zotimi”, për përmbushjen e detyrave me sukses, gjatë mandatit të tyre.