21.10.2017

Kajtazi: Shumica e komunave pas 22 tetorit do të qeverisen nga LDK-ja

22 Shtator 2017

Kryetarja e Forumit të Gruas të LDK-së, Lirije Kajtazi, ka thënë të hënën në një takim me kandidatet gra të LDK-së për kryetare dhe asamble komunale se jam e bindur se shumica e komunave të Kosovës, pas 22 tetorit do të udhëhiqen nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Këtë bindje po na e forcon çdo ditë e më shumë mënyra se si qytetarët e të gjitha komunave të Kosovës po e pranojnë alternativën qeverisëse të LDK-së”, ka thënë Kajtazi, gjatë prezantimit të programit të LDK-së për fuqizimin e grave dhe vajzave.

Ajo ka thënë se ashtu sikurse gratë dhe vajzat që përfaqësojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Kosovës dhe që kanë përfaqësuar partinë tonë në kuvendet komunale, sigurisht edhe gratë e vajzat që do ta përfaqësojnë LDK-në në kuvendet e ardhshme komunale, do të jenë të vetmet që do të zgjedhen me vota të qytetarëve, e jo mbi bazën e parimit të kuotës së përcaktuar prej 30 për qind për gratë.

Kajtazi ka shtuar se gratë dhe vajzat në listën tonë të kandidatëve për asambleistë, janë pjesë e një liste të fitores së sigurt, brenda të cilës janë të gërshetuara gjenerata e pavarësimit dhe ajo e Republikës.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë me këtë rast se është vërtetuar se lidershipi i grave është më i suksesshëm, është më demokratik, është më pak i korruptuar dhe është më efektiv.
“Në mënyrë shkencore është vërtetuar se korrupsioni te gratë është shumë më pak prezentë, sjellja demokratike është shumë më e madhe, kultura e komunikimit është më e madhe”, ka thënë Mustafa.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se LDK si parti e qendrës së djathtë dhe e integruar plotësisht në familjen e Partive Popullore Evropiane, është e vendosur që ta avancojë rolin e gruas, që gruaja të vendos për procese të rëndësishme në shoqëri dhe të jetë vendimmarrëse.