18.12.2017

Idrizi: Mitrovica s’do të ketë më qeverisje provinciale

29 Shtator 2017

Komuna e Mitrovicës, pas 22 tetorit nuk do të jetë më e pushtetarëve , por e qytetarëve të saj, ka thënë kandidatja e PDK-së për kryetare të këtij qyteti, Valdete Idrizi. Këto komente ajo i bëri në takimet me qytetarët e Broboniqit dhe Vaganicës, ku ka theksuar se nuk do të ketë më “qeverisje me logjikë provinciale”.

Në Broboniq Idrizi premtoi një shkollë të re, projekt që thotë se ishte planifikuar më parë, por ishte stopuar nga “qeverisja e tashme, me arsyetimin se ishte projekt i PDK-së”.

“Të gjitha projektet madhore në qytet, janë projekte të PDK-së”, ka thënë ajo. “Për këtë janë dëshmitarë të gjithë qytetarët, ashtu siç do të jenë dëshmitarë edhe të projekteve të tjera të mëdha që do të realizohen në mandatin e ardhshëm – nën udhëheqjen e PDK-së”.

Idrizi, së bashku me kryetarin e Degës së PDK-së në Mitrovicë, Avni Kastratin, ka zhvilluar një takim edhe me banorët e Vaganicës, të cilëve u premtoi se “do ta kenë derën hapur, për të gjitha projektet që ata i vlerësojnë me rëndësi”./Telegrafi/