18.12.2017

Haradinaj ka proceduar në Kuvend Ligjin për Prishtinën

30 Shtator 2017

Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Ramush Haradinaj ka proceduar Ligjin për Prishtinën në Kuvend.Kryeministri Haradinaj ka thënë se në ditët e para të qeverisjes së tij ka dorëzuar në Kuvend Ligjin për Prishtinën.

Ai ka thënë se zvarritja e miratimit të këtij ligji ka qenë e panevojshme, ngase kryeqyteti ka nevojë për këtë ligj, raporton Ekonomia Online.

Neni 13 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligji për Vetëqeverisje Lokale parashohin që statusi i kryeqytetit të rregullohet me ligj të veçantë.

Më këtë Ligj Prishtina do të këtë kompetenca më të mëdha në shumë fusha, ndërkaq synohet të rregullohen kufijtë komunal, do të ketë grant me të madh qeveritar etj.

Këto deklarata Haradinaj i bëri gjatë tubimit të AAK-së në Prishtinë ku u shpalos programi i kësaj partie si dhe kandidatët për asamblistë.“Në ditët e para të qeverisjes time është dorëzuar kuvendit ligji për Prishtinën. Ka disa vite që ka pritë ne sirtarë e u krye tash. Ligji për Prishtinën shumë shpejt do miratohet, sepse një ligj i tillë i duhet kryeqyteti”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se me kifle nuk merren vota.

“Kiflet edhe shujta janë diçka primare, më larg se kiflet duhet të kujdesemi për sigurinë, ekonominë etj. Me kifle nuk merren votat”, ka thënë Haradinaj.Kandidati i kësaj partie për të parin e kryeqytetit, Arbër Vllahiu, ka shpalosur programin e tij.

Ai tha se Prishtina ka nevojë për një qeverisje transparente dhe llogaridhënie, raporton EO.

“Kemi hyrë në garë për të treguar që qyteti kurrë nuk i ka dal kush zot. Kryeministër qytetit i duhen orët tuaj për të bërë ndryshimin. Ndryshimi ka ardhur me ju me ne. Qyteti ka nevoje për një qeverisje transparente dhe llogaridhënie. Qeverisja lokale do të jetë partner i fuqishëm me qytetarin për të ndërtuar konceptin e qytetit të përparuar”, ka thënë Vllahiu.

Ai ka thënë se Prishtina do të bëhet me dy parkingje dhe se në vend te “kunjave” do të mbillen pemë dhe do të gjelbërohet qyteti.