17.12.2017

Besim Muzaqi: Vushtrria e gatshme për ndryshim, numri 10 është numri shpresës

2 Tetor 2017

Kandidati për kryetar të Vushtrrisë, Besim Muzaqi, ka thënë në tubimin zgjedhor të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në këtë komunë se Vushtrria pas çlirimit, është duke vuajtur nga keqqeverisja prej atyre që nuk duan barazi e mirëqenie. Mirëpo, ai u zotua se me qeverisjen e tij kjo do të marrë fund.

Muzaqi ka thënë se ndryshimi nuk mund të ndodhë me ata që janë fajtorë për gjendjen e rëndë në Vushtrri, e as me ata të cilët nuk guxuan të ballafaqohen me të keqen.

“Ne do të ndërtojmë çerdhe për fëmijët tanë në qytet e fshatra. Prindërit duhet të bëhen pjesëmarrës aktiv në shkollim të fëmijëve. Ne do t’i sigurojmë secilës shkollë laboratore për kimi, fizikë, biologji dhe kënde leximi e libra të mjaftueshëm”, është zotuar Muzaqi para vushtrriasve.

Ai është zotuar po ashtu për trefushimin e numrave të bursave për studentë, funksionalizimin e qendrave të mjekësisë familjare dhe subvencionimin e bujqve., kurse pëe qendrën e  vjetër të qytetit ka thënë se do të konservohet dhe rimodelohet gjatë qeverisjes së tij.

“Subvencionimi i ndershëm i klubeve sportive dhe i klubit të tifozëve Forca, është jetik për rezultate dhe atmosferë sportive. Arti dhe kultura janë vlerat më të bukura të Vushtrrisë. Ato do ta kenë vendin në prioritetet e buxhetit tonë, ne do ta rrisim ndikimin e komunës në këto fusha duke e rritur buxhetin për to dhe duke hequr ndikimin politik”, ka shtuar më tej.

E, për gjitha këto, Muzaqi ka thenë se do të realizohen me ekipin e fitores, duke prezantuar kandidatët për kuvendin komunal.

 
Të gjitha këto dhe jo vetëm mund të realizohen duke përkrahur edhe ekipën e fitores të cilën kam nderin ta prezantoi para jush. Ai ka ftuar që me 22 Tetor të votojnë për numrin 10, duke e quajtur numrin e ndryshimit.