21.10.2017

Bashkim Nurboja prezanton 26 zotimet për Pejën

9 Tetor 2017

Qeverisjet e ndryshme në Pejë e kanë shndërruar këtë qytet të bukur e me potencial të shumëfishtë në çerdhe të krimit e korrupsionit dhe e kanë lënë pa zhvillim e përparim. LDK dhe AAK, herë njëra e herë tjera, në bashkëqeverisje me PDK-në, kanë promovuar mendësi të njëjtë qeverisëse. Me qeverisjet e tyre, Peja ka stagnuar, kurse pejanët në vazhdimësi e kanë humbur shpresën.

Peja që ka qenë qytet i bujqve i fabrikave dhe i dijes e kulturës, nuk mund të qeveriset nga ata që e lanë pa fabrika e pa prodhim e që nuk kanë dije e program për ta zhvilluar. Në krye të Pejës duhet ekip që e ka vullnetin, dijen e guximin që ta kthejë dinjitetin e zhvillimin në këtë komunë, e ky ekip ekziston vetëm në Lëvizjen Vetëvendosje!, e cila e ka edhe programin për ta bërë këtë. Në ballë të këtij ekipi është kandidati për kryetar të Pejës, profesori Bashkim Nurboja.

Nurboja sot paraqiti 26 zotimet e Lëvizjes Vetëvendosje! për Pejën. Ndërtimi i 40 banesave në lagjën “Sahat Kulla” dhe shpërndarja e tyre për familjet e pastreha, rastet sociale dhe kategoritë e dala nga lufta brenda 4 viteve; regjistrimi i bujtinave dhe EtnoParku në Rugovë; rikthimi i parkingjeve publike; rrjeti i ndriçimit në çdo lagje dhe fshat; transparenca radikale në prokurim, subvencione, shpenzime komunale; rritja e subvencioneve bujqësore dhe ndalimi i ndërtimeve pa leje dhe legalizimi i ndërtimeve që nuk janë në konflikt me planin urbanistik; janë disa nga zotimet që ka shpjeguar para publikut kryetari i ardhshëm i Pejës.