18.12.2017

Abrashi prezantoi planin për modernizimin e Qendrës Tregtare në ‘Kodrën e Diellit’

7 Tetor 2017

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka thënë të shtunën se “Kodra e Diellit” është lënë anash për katër vite nga pushteti lokal, nuk është investuar asgjë, ndërsa ai ka prezantuar planin e tij për investime dhe modernizim të Qendrës Tregtare, që është simbol i lagjes, në mënyrë që banorët të mos kenë nevojë të dalin në qytet për shërbime të ndryshme dhe rekreacion.

“Kodra e Diellit ka mbetur në mëshirën e fatit dhe nuk është investuar aspak në katër vitet e fundit. Në bashkëbisedim me qytetarët jam dakorduar për ndarjen e një buxheti të veçantë për ‘Kodrën e Diellit’, me një listë konkrete të projekteve të dorëzuara nga vet qytetarët”, tha Abrashi.

Sipas tij, në këtë vend ku jemi, në Qendrën Tregtare në “Kodrën e Diellit” nuk është investuar asgjë dhe është degraduar kjo pjesë. “Kjo Qendër Tregtare që ka qenë simbol i ‘Kodrës së Diellit’ do të rinovohet në tërësi me parkingje anash dhe nuk do të kenë nevojë banorët e kësaj lagjeje të shkojnë në qendra tjera tregtare dhe qendra rekreative më larg, por do të kenë qendrën e tyre moderne”, tha Abrashi.

Ai potencoi se kërkesë tjetër ka të bëjë me një projekt që prek krejt Prishtinën dhe ata janë qentë endacakë. “Banorët e ‘Kodrës së Diellit’ janë ankuar shumë për rrezikun që paraqesin qentë endacakë dhe me këtë problem do të merrem që nga dita e parë si kryetar i Prishtinës. Këtë problem do ta zgjidhim me profesionistët e fushës, me ata që e njohin më së miri këtë fusha”, shtoi Abrashi.

Ai tha se do ta zgjerojmë rrjetin e ngrohjes qendrore në ndërtesat e “Kodrës së Diellit” dhe do të ndajmë buxhet shtesë për këtë projekt. “Më parë ka pas investime në zgjerimin dhe përmirësimin e rrjetit të ngrohjes por në katër vitet e fundit kjo nuk ka ndodh”, tha ai.

Abrashi u zotua edhe për investime në ndriçimi publik, vendosjen e kamerave të sigurisë në zona të ndjeshme, fasadimin e disa objekteve dhe rregullimin e ashensorëve.

“Sa i përket ruajtjes së mjedisit, në zonat e gjelbra do të hapim puse dhe me sistemin pikë-pikë do t'i ujisim dhe mirëmbajmë këto hapësira të gjelbra, të cilat do të zgjerohen. Do të mbjellim 10 mijë drunj në vit në gjithë Prishtinën, dhe ‘Kodra e Diellit’ do të përfitojë nga ky projekt. Do t'i rregullojmë fushat sportive dhe këndet e lojërave dhe do t'i rregullojmë pushimoret në park”, nënvizoi Abrashi.

Ai tha se te Fakulteti Teknik do ta ndërtojmë një hapësirë të madhe të gjelbëruar dhe kjo hapësirë nuk do të mbetet e degraduar.