21.10.2017

Abrashi premton ndërtimin e Spitalit të Qytetit dhe kujdes shëndetësor në shtëpi

10 Tetor 2017

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, gjatë prezantimit të platformës së tij qeverisëse për fushën e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, përparësi i ka dhënë ndërtimit të Spitalit të Qytetit, ofrimit të kujdesit shëndetësor në shtëpi për qytetarët në nevojë, blerja e dy mamografëve shtesë për të avancuar kujdesin parandalues shëndetësor, si dhe ofrimin e shërbimeve të terapisë fiziatrike të cilat në shumë raste vështirë përballohen nga buxheti familjar.

“Duke parë që gjatë këtyre katër viteve nuk është ndërtuar asnjë qendër e mjekësisë familjare, përkundër kërkesave dhe nevojave të qytetarëve, ne mendojmë ta ndërtojmë Spitalin e Prishtinës dhe dy qendra të mjekësisë familjare, një në Veternik dhe tjetrën në lagjen Mati 2”, ka thënë Abrashi.

Ai tha se plani i tij parasheh përmirësimin e shërbimeve shëndetësore duke e bërë kompletimin dhe përmirësimin e rrjetit të objekteve shëndetësore, forcimin e kapaciteteve diagnostikuese në mjekësinë familjare, fuqizimin e shërbimeve të kujdesit shtëpiak dhe të atij emergjent paraspitalor, zgjerimin e shërbimeve shëndetësore ekzistuese, futjen e shërbimeve të reja shëndetësore, ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve njerëzore përmes zhvillimit të vazhdueshëm profesional (ZHVP) etj.

“Synim tjetër i LDK-së me marrjen e mandatit është edhe kompletimi dhe përmirësimi i rrjetit të objekteve shëndetësore me kompletimin e rrjetit të qendrave të mjekësisë në tërë territorin e Komunës së Prishtinës sipas standardit një QMF në 10000 banorë, dhe implementimin e konceptit të Mjekësisë Familjare ku do të ketë një mjek specialist dhe 2 infermierë në 2000 banorë”, tha Abrashi.

Forcimin e kapaciteteve diagnostike në mjekësinë familjare me kompletimin e pajisjeve të QMF-së me aparatura moderne, inventar mjekësor dhe autoambulanca e pajisje laboratorike, kabinet të rëntgenografisë dhe melografisë, janë prioritete të Abrashit për mandatin e ardhshëm në qeverisje të Prishtinës.

Ai potencoi se do të bëhet forcimi i kapaciteteve diagnostike në mjekësinë familjare përmes furnizimit me pajisje laboratorike dhe inventar mjekësor, fuqizimin e shërbimeve të kujdesit shtëpiak, ku do të bëjmë zgjerimin dhe forcimin e shërbimit shtëpiak për grupet e cenueshme, ku në vitin e parë të marrjes së mandatit do të bëhet funksionalizimi i 8 ekipeve mjekësore mobile të përbërë nga një mjek dhe dy infermierë, nga 2 ekipe në 4 qendra të mëdha, që do të ofrojnë shërbime shtëpiake për së paku 100-120 pacientë në ditë.

Këto qendra do ta kenë listën e të gjithë personave që u takojnë grupeve të cenueshme, me planin e vizitave dhe nevojave për llojin e shërbimeve shëndetësore shtëpiake.

"Në fushën e shëndetit publik do të bëhet vaksinimi i rregullt i fëmijëve, vaksinimi sezonal i të moshuarve, dezinsektimi hapësinor i Prishtinës, derratizimi vjeshtor i rrjetit të kanalizimit dhe pusetave të qytetit, derratizimi i bodrumeve dhe garazheve publike të qytetit, dezinfektimi i objekteve shëndetësore dhe arsimore”, shtoi Abrashi.

Në fushën e mirëqenies sociale Abrashi premtoi funksionalizimin e plotë të Qendrës për Punës Sociale me staf profesional, funksionalizimin për mbrojtjen e gruas dhe viktimave të dhunës në familje, krijimin e fondit për mbrojtën e fëmijëve dhe prindërve vetushqyes më theks të veçantë nënat vetushqyese, krijimin e kushteve për qasje fizike për personat me aftësi të kufizuar në institucionet komunale, sigurimin e fondit për banim social për rastet e të pastrehëve dhe sigurimin e transportit falas për rastet sociale, pensionistët etj.