21.10.2017

Abrashi premton krijimin e 30 mijë vende të reja pune në Prishtinë

28 Shtator 2017

Në manifestimin kryesor të hapjes së fushatës zgjedhore, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka thënë se Prishtina ka nevojë për një qasje të re politike. Dhe ajo qasje e re shkon përtej grindjeve politike, përtej akuzave e kundërakuzave, përtej kalkulimeve populiste dhe dogmave ideologjike.

Sipas tij, për katër vjet, Prishtina mbeti peng i këtyre politikave, derisa rrugët e Prishtinës mbeteshin të mbushura me mbeturina, derisa trafiku ishte një kaos i plotë, qyteti po ngufatej çdo ditë e më shumë, ndërsa nuk u ndërtua asnjë shkollë e vetme, e njëkohësisht u rrit tatimi në pronë, u degradua jeta kulturore, e sportive, kurse tepronte buxheti komunal.

“Ne duhet ta ndryshojmë këtë. Sepse, ky nuk është vetëm qyteti ynë, ky është qyteti i fëmijëve tanë, dhe i pasardhësve të tyre”, ka thënë Abrashi.

Kandidati i LDK-së për Kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, përpara se të prezantonte 56 kandidatët për Kuvendin Komunal, ka theksuar se programi i tij për Prishtinën është i bazuar në nevojat reale të qytetarëve të Prishtinës dhe është një projekt konkret e i realizueshëm.

Shpalosjen e programit të tij për Prishtinën e ka filluar me idenë për krijimin e Fondit të Punësimit, përmes të cilit ai u shpreh i bindur se, për katër vjet, në Prishtinë do të krijohen rreth 30 mijë vende të reja të punës.

Ai ka premtuar uljen e tatimit në pronë, shtrirjen e ngrohjes qendrore në banesat e përbashkëta dhe lagjet e reja, ka premtuar krijimin e kushteve për zhvillimin e mësimit gjithëditor nëpër shkollat e Prishtinës, përmes ndërtimit të 7 shkollave të reja, ka premtuar ndërtimin e shkollës së muzikës, rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe ndërtimin e Spitalit të Prishtinës e qendrave mjekësisë familjare në lagjet ku ato mungojnë si dhe fillimin e zbatimit të kujdesit shëndetësor shtëpiak.

Në planin e tij për Prishtinës, Abrashi ka thënë se janë paraparë më shumë zona gjelbëruese e kopshte rekreacioni, ndërsa prioritet do t’i kushtojë strategjisë për mbrojtjen e qytetarëve të Prishtinës nga rreziku i qenve endacakë.

Pallatin e Rinisë, Abrashi ka thënë se do t’ua kthejë qytetarëve të Prishtinës, duke gjetur mënyrën më efikase për ndërtimin e një kompleksi modern për sportin dhe rekreacionin.

Nën qeverisjen e tij, Abrashi ka thënë se do ta përkrahë zhvillimin e aktiviteteve të kulturës e sportit, ndërsa ka premtuar ndërtimin e Sallës Koncertale dhe Teatrit të qytetit.

Ai ka premtuar ndërtimin e unazës së qytetit, mbulimin e përrenjve dhe kolektorëve të ujërave të zeza. “Do të gjejmë zgjidhje për parkingjet publike në qendër të Prishtinës”, ka premtuar Abrashi.

Abrashi ka premtuar edhe rigjenerimin e zonës së Gërmisë, duke e realizuar ndërlidhjen e saj me Liqenin e Badovcit.