21.10.2017

Abrashi: Në Prishtinë u rrit tatimi në pronë, buxheti dhe investimet u zvogëluan

30 Shtator 2017

Para banorëve të lagjes “Ulpiana” në Prishtinë, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka thënë se është e padrejtë se si është rritur tatimi në pronë, ndërsa buxheti i komunës dhe kthimi i investimeve ka rënë në mënyrë drastike.

“Ne mendojmë se është e padrejtë rritja e tatimit në pronë që ka ndodh viteve të fundit. Ky vendim ka goditur padrejtësisht lagje dhe familje të tëra, sepse nuk janë kthyer tatimet në investime. Ne do ta ulin tatimin në pronë, pasi që buxheti i Prishtinës është i mjaftueshëm për tu dalë në ballë kërkesave të qytetarëve, nëse menaxhohet si duhet”, ka thënë Abrashi.

Gjatë prezantimin të programit për “Ulpianën”, Abrashi ka thënë se kërkesat e banorëve janë të bazuara në buxhetin që ia ka planifikuar për këtë zonë.

“Ne jemi dëshmitar që soliterët kanë nevojë për investime, jo vetëm për ta rregulluar pamjen e Prishtinës, por edhe për të rritur sigurinë e banorëve të lagjes. Këtë do ta bëjmë sapo ta marrim mandatin. Do t'i ndërrojmë disa kulme të ndërtesave në ‘Ulpianë’, të cilat janë ndërtuar me materiale joadekuate, nga azbesti dhe përkundër shëmtisë, paraqesin rrezik shëndetësor nga rrezatimi”, ka thënë kandidati i LDK-së për Prishtinën.

Abrashi tha se ka në plan zgjerimin e ngrohjes qendrore nëpërmes kogjenerimit, i cili po shfrytëzohet në masë 55% dhe do të preket edhe “Ulpiana”.

Ai ka pohuar se do ta rregullojmë fontanën dhe gjelbërimin në këtë zonë, ndërsa ujitja do të bëhet me sistemin pikë-pikë, nëpërmes hapjes së puseve të reja.

“Do të bëjmë revitalizimin e strehimores së Ulpianës, për t'i shndërruar ato në hapësira të artistëve, dizajnerëve dhe të bendeve të Prishtinës. Do t'i mirëmbajmë këndet e lojërave në Ulpianë. Këto kënde të lojërave të investuara para 5-6 vitesh nuk janë mirëmbajtur për katër vitet e fundit”, ka shtuar Abrashi.

Ai ka potencuar se do t'i funksionalizojmë parkingjet në shërbim të banorëve të zonës. “Te shkolla ‘Hasan Prishtina’, do ta ndërtojmë një parking nëntokësor më pas, mbi të do ta ndërtojmë fushën e sportit dhe këndet tjera”, tha Abrashi.

Ai ka shtuar se disa banorë janë ankuar se kanë probleme me kanalizim dhe ne do ta zgjidhim këtë.

Kryetari i Degës IV të LDK-së në Prishtinë, Halim Muçolli ka thënë se në katër vitet e shkuara në “Ulpianë” nuk është investuar asgjë dhe lagjja ka marrë pamje të shëmtuar, derisa më parë kjo ka qenë krenaria e Prishtinës.