21.10.2017

Abrashi: Kam projekte konkrete për kërkesat e qytetarëve të Prishtinës

1 Tetor 2017

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka thënë të dielën gjatë një bashkëbisedimi i banorë të “Lagjes së Muhaxherëve” se ka kërkesat konkrete të banorëve të kësaj lagjeje janë të përfshira në projektin e tij për qeverisjen e ardhshme katërvjeçare.

”Po mendojmë se kjo është forma më e mirë e prezantimit nëpër secilën lagje të Prishtinës, sepse edhe puna e kryetarit të Komunës ka të bëjë me problemet e qytetarëve në lagjet e tyre. Të gjithë ata që na kanë përcjellë e dinë se ne i kemi disa shtylla kryesore për zhvillimin e Prishtinës. Fondi i punësimit është ndër pikat më të rëndësishme dhe ka të bëjë me përkrahjen e të rinjve, të cilët kanë ide për bizneset e tyre, pastaj për bizneset e vogla që synojnë të marrin punëtorë të rinj”, ka thënë Abrashi.

Ai ka thënë se ekipi i tij ka hartuar projekte të mëdha zhvillimore për Prishtinën. Por, në këtë rast nuk po flasim për unazat e reja, për Pallatin e Rinisë, për Rrugën A, për projektin e Spitalit të Prishtinës, pasi për këto projekte do të flasim në një ditë të veçantë, kur do të shpalosim në hollësi programin tonë“.

“Sot jemi këtu për të prezantuar projektet tona për “Lagjen e Muhaxherëve” dhe një pjesë të banesave të Aktashit. Projektet dhe kërkesat janë konkrete, prandaj janë futur në programin tonë dhe janë pjesë e ofertës sonë“, ka thënë Abrashi.

Sipas tij, ideja themelore është që në katër vjetët e ardhshëm të investohet sipas kërkesave të banorëve. “Njëra nga kërkesat tuaja ka qenë përkrahja në fasadimin e brendshëm të ndërtesave në Aktash dhe kjo çështje tashmë është në programin tonë dhe premtimin tonë. Rregullimi i ashensorëve dhe problemi me parkingje, po ashtu janë çështje që duhet të zgjidhen sa më parë“, ka thënë Abrashi.

Ai ka theksuar se “Lagja e Muhaxherëve” është duke e humbur identitetin e saj për shkak të ndërtimeve të reja, ndërsa banorët kanë kërkuar që një pjesë e saj të ruhet ashtu siç ka qenë dhe ne mendojmë se lokalet në hyrje të lagjes, të cilat shërbejnë për një numër të bizneseve dhe zanateve të vjetra, të renovohen, por të kenë një stil të vjetër të ndërtimit e pastaj t’u jepen me qera afatgjate të njëjtëve zejtarë që i kanë tani.

Abrashi ka premtuar edhe intervenimin në rrugicat e kësaj lagjeje, duke thënë se u është bërë e padrejtë, pasi komuna ka përfituar shumë prej saj, ndërsa nuk ka investuar pothuajse asgjë.

Ai ka shtuar se nën udhëheqjen e tij, Lagja e Muhaxherëve do ta ketë edhe kopshtin publik, pastaj do të punohet për ndërtimin e stadiumit të Besëlidhjes, do të mirëmbahet këndi i lojërave për fëmijë, ndërsa do të ketë edhe trajtim adekuat për qentë endecakë.