21.10.2017

Abrashi: Do ta rindërtojmë Prishtinën e vjetër dhe Prishtinën turistike

6 Tetor 2017

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Komunës së Prishtinës, Arban Abrashi, në kuadër të fushatës parazgjedhore, të premten ka zhvilluar një takim me strukturat e degës së dytë të LDK-së dhe qytetarë të disa lagjeve të kryeqytetit.

Abrashi ka shpalosur programin e tij për këtë pjesë të kryqytetit si dhe ka dëgjuar kërkesat e qytetarëve.

“Programi ynë qeverisës bazohet në kërkesat konkrete dhe nevojat reale të qytetarëve”, ka thënë Abrashi, sipas të cilit, nën drejtimin e tij, në këto lagje do të ndriçohen të gjitha rrugët dhe do të kryhet shtrirja e rrjetit të kanalizimit.

Po ashtu, kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka premtuar ndërtimin e 3 çerdheve për fëmijët e në Fushën e Pajtimit, afër Dodonës dhe në Velani. Kurse, në Sofali, ai ka premtuar ndërtimin e shkollës për fëmijët e kësaj lagjeje.

Abrashi ka premtuar kënde sportive e rekreative si dhe mirëmbajtjen e parqeve të shkatërruara nga mungesa e kujdesit të qeverisjes në largim të Prishtinës.

Ai ka thënë se gjatë mandatit të tij në krye të ekzekutivit, do të kryhet restaurimi i Prishtinës së Vjetër si dhe do të ndërtohet një treg i denjë për një kryeqytet.

“Ne do ta ndërtojmë rrugën Kolovicë-Butovc, sepse ne mendojmë se ky duhet të jetë hapi i parë për të shtrirë investimet tjera, me qëllim të ndërtimit të kapaciteteve të Prishtinës turistike”, ka thënë Abrashi.

Abrashi u ka premtuar banorëve të të gjitha lagjeve që qeverisja e tij do të kujdeset edhe për shtëpitë e pabanuara, të cilat në disa raste janë shndërruar në deponi mbeturinash e në disa raste tjera edhe në ambiente në të cilat kryhen veprime të kundërligjshme, të cilat e rrezikojnë jetën e banorëve të Prishtinës.