17.12.2017

Abrashi: Do ta ndalojmë praktikat e diskriminimit të banorëve të Prishtinës në punësim

5 Tetor 2017

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, gjatë një vizite në fshatin Ballaban ka thënë se pas fitores në zgjedhjet e 22 tetorit do ta ndërpresin praktikën e diskriminimit të banorëve të Prishtinës në punësim.

“E kemi të qartë se është bërë diskriminim në administratën publike në Komunën e Prishtinës, qoftë në sistemin arsimor, shëndetësor, por edhe në vetë administratën komunale, ku janë pranuar një numër i konsiderueshëm i banorëve të komunave tjera, përkundër faktit se ka pasur kuadro nga lagjet dhe fshatrat e Prishtinës. Pra, ne do t’i kushtojmë rëndësi kësaj çështjeje, si në Ballaban ashtu edhe në vendbanimet tjera”, ka thënë Abrashi, duke shtuar se punësimi do të jetë ndër prioritetet kryesore.

Për banorët e Ballabanit ai ka premtuar edhe asfaltimin e pjesës së mbetur të rrugës, pjesë që i takon Komunës së Prishtinës, duke shpresuar që në marrëveshje edhe me Komunën e Podujevës asfaltimi të përfundojë sa më shpejt, në mënyrë që kjo zonë të përfitojë edhe në lëmin e turizmit, për çka mundësitë janë të mëdha.

“Do të ketë subvencionime shumë më të mëdha në bujqësi. Do të punojmë shumë edhe për përmirësimin e transportit, ndërsa për pensionistët transporti do të jetë falas në tërë komunën dhe jo vetëm në një linjë të trafikut“, është shprehur kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës.

Abrashi ka theksuar se përkundër numrit të vogël të banorëve në Ballaban dhe fshatrave përreth, qeverisja e LDK-së do të kujdeset më shumë për këtë zonë.

Disa nga kërkesat e fshatarëve kanë qenë për kabinetet në shkollë, një ambulancë dhe intervenimi në rrugët e disa lagjeve, për të cilat Abrashi ka premtuar zgjidhje të shpejtë.

Ai ka thënë se kemi plane edhe për Ballabanin, Shaskocin, Drenocin, deri në Hajkobillë. “Ne do të krijojmë perspektivë për banorët aktualë, por edhe ata që janë zhvendosur mund të shikojnë perspektivën që të kthehen, sepse gjithë kjo zonë ka një potencial ekonomik, dhe potencial të turizmit që mund të zhvillohet”, shtoi Abrashi.

Ai tha se synimi ynë kryesor do të jetë punësimi. “Ne do të jemi komuna e parë që do të ketë Fondin e Punësimit, që nënkupton se ne do t'i përkrahim të rinjtë dhe të rejat dhe ata që kërkojnë punë, përmes përkrahjes financiare nëpërmes granteve të vogla, subvencionim të pagave etj.”, tha Abrashi.