17.12.2017

Abrashi: 30 milionë suficit, ndërsa personat e verbër u lanë pa rrymë e ngrohje

28 Shtator 2017

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, gjatë një vizite që iu ka bërë Komitetit të Grave të Verbra të Kosovës, ka thënë të enjten se ngjashëm me kohën sa ka qenë Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, ashtu edhe në qeverisjen e ardhshme të kryeqytetit do t’ju kushtojë rëndësi të veçantë personave të verbër dhe me të parë të dëmtuar.

Abrashi ka thënë se është e papranueshme që qeverisjes aktuale ju kanë tepruar dhjetëra miliona në vit, ndërsa kategoritë në nevojë janë lënë pa përkujdesje.

“Sa kam qenë në postin e ministrit kam përkrahur financiarisht këtë kategori të shoqërisë. Në postin e kryetarit të komunës mundësitë do të jenë shumë më të mëdha. Është e papranueshme që Prishtinës i mbetën 20 deri 30 milionë euro suficit, ndërsa Shoqatës së personave të verbër dhe me të parë të dëmtuar nuk u janë paguar as rryma dhe as ngrohja. Kjo praktikë do të ndërpritet pas 22 tetorit, me ardhjen time në krye të komunës”, ka thënë Abrashi.

“Ajo çka mund t’ju premtojë personave të verbër dhe gjithë kategorive në nevojë të kryeqytetit është se do ta kenë derën e hapur në komunë dhe do t’i përkrahim të gjitha kërkesat e personave në nevojë. Nga përvoja në ministri kam mësuar shumë se si të trajtohen këto kategori. Ne kemi ekspertizën profesionale që edhe buxhetin ta alokojmë për nevoja të drejtpërdrejta të qytetarëve”, ka thënë Abrashi.

Ai ka shtuar se infrastruktura publike dhe private në kryeqytet do të përshtatet për personat e verbër dhe personat me nevoja të veçanta që lëvizin me karroca.

“Me marrjen e mandatit si kryetar i Prishtinës do të inicioj projekte që i kontribuojnë këtij komuniteti: sinjalistikë; përshtatje të trotuareve me pllaka orientuese për shkopinjtë e bardhë; fuqizim të projekteve për lexim me zë; subvencionim të materialeve arsimore e letrare për Alfabetin Braj; lirim nga pagesat e Trafikut Urban; mbështetje financiare”, ka thënë Abrashi.

Përfaqësuesit e Shoqatës së të verbërve janë ankuar se komuna e Prishtinë nuk i ka marrë asnjëherë në konsideratë kërkesat e tyre, thuhet në komunikatën e LDK-së.