22.08.2017

Shpiket “vaksina” kibernetike

28 Qershor 2017

Ekspertët e sigurisë u treguan të shpejtë në reagimin e tyre, me krijimin e një të ashtuquajture “vaksinë” kundër virusit kibernetik që goditi të martën organizata e kompani anembanë botës.

Krijimi i një skedari të vetëm mund të parandalojë infektimin e një kompjuteri. Megjithatë, ajo që kërkuesit nuk arritën të zbulojnë është një mekanizëm eliminues, i cili të parandalojë përhapjen e virusit në kompjutera të tjerë të cënueshëm prej tij.

Origjina e sulmit kibernetik, apo qëllimi kryesor i tij vazhdojnë të mbeten një mister. Edhe këtë radhë kërkohet një shumë parash në këmbim të zhbllokimit të kompjuterit, por ajo është relativisht e vogël, 300 dollarë, gjë që ushqen spekulimet se kjo goditje mund të jetë thjesht fillimi i një sulmi më të gjerë, ose dikush po kërkon të bëjë një deklaratë politike.

Mes viktimave të tij janë Banka Qendrore e Ukrainës, gjiganti rus i naftës “Rosneft”, agjencia britanike e reklamave “WPP” dhe firma ligjore amerikane “DLA Piper”. Nga sulmi është prekur edhe të paktën një spital në qytetin e Pittsburghut, në Shtetet e Bashkuara.

Zgjidhja e shpejtë e ngërçit është krijimi i një skedari që vetëm lexohet, i cili mban emrin “perfc”, dhe vendosja e tij në folderin “C:Windows” të kompjuterit.

Shpjegimi sesi realizohet kjo është hedhur “online” nga faqja e internetit “Bleeping Computer”, e mbështetet nga ekspertë të tjerë të sigurisë. Metoda është efikase, por mbron vetëm kompjuterin individual ku vendoset skedari “perfc”. Raporte të ndryshme tregojnë se mesazhi, ku shfaqet kërcënimi i virusit, është përhapur në pjesë të ndryshme të botës.