20.10.2018

Lansohet smartfoni i parë në botë me komplet ekran

13 Qershor 2018

Koncepti Apex i kompanisë së njohur kineze Vivo, pas shumë spekulimeve dhe raportimeve, më në fund është lansuar në dy versione. Modeli premium quhet NEX S, i cili është smartfoni i parë në botë me komplet ekran (pa prerje – notch) si dhe ofron disa veçori unike.

Vivo NEX S vjen me ekran 6.59-inç Super AMOLED FHD+ me rezolucion prej 2,316 x 1080 pikselë dhe raport të ekranit prej 19.3:9, që i bie rreth 91.24 % është ekrani. Po ashtu, ekrani inkorporon teknologjinë in-display të cilën e kemi parë te X21 UD, transmeton Koha.net. Përveç ekranit më të mirë deri tani, NEX S vjen edhe me kamerën e veçantë për ‘selfie’ prej 8 megapikselë e cila aktivizohet sikurse periskopi.

Gjithashtu, Vivo NEX S vjen me teknologjinë ‘Screen SoundCasting Technology’ e cila ofron bas më të mirë.

Sa i përket specifikave, natyrisht, vjen me procesor më të fundit të Qualcommit – Snapdragon 845, 8 GB RAM memorie dhe 128 ose 256 GB memorie të brendshme. Po ashtu, vjen edhe me kamerën kryesore të dyfishtë prej 12 + 5 megapikselë, baterinë prej 4,000 mAh e cila mund të karikohet shumë shpejt me karikuesin 22.5W, si dhe do të punojë me sistemin operativ Android 8.1 Oreo dhe ndërfaqen e përdoruesit Funtouch OS 4.0.

Meqë po përmendet OS, Vivo NEX S vjen me asistentin e ashtuquajtur Jovi. Një buton i veçantë i vendosur në pjesën anësore të smartfonit – ngjashëm me Bixbyn e Samsungut – mundëson aktivizimin e Jovit. Jovi mund të identifikojë fotografitë, të aktivizojë aplikacione dhe mbështet shumë komanda tjera përmes zërit.

Kompania, po ashtu, ka theksuar se para-porositë për këtë smartfon të ri nga sot kanë filluar dhe do të jetë në dispozicion deri më 23 qershor. Versioni standard me 8 GB/128 GB do të kushtojë rreth 702 dollarë, ndërsa versioni me 8 GB/256 GB rreth 780 dollarë, përcjell Koha.net.

Ende nuk dihet se kur do të jetë në dispozicion ky smartfon edhe për tregjet tjera të botës – gjatë prezantimit është thënë se fillimisht do të jetë në dispozicion vetëm në Kinë.