30.04.2017

F-35C ‘masakron’ konkurrencën ajrore

10 Shkurt 2017

Avioni luftarak më i kushtueshëm dhe programi më i kritikuar në Shtetet e Bashkuara për shkak të parave të hedhura për realizimin e tij, duket se është futur në fazën finale dhe rezultatet kanë tejkaluar pritshmëritë.

Lockheed Martin testoi gjeneratën e pestë të avionëve F-35. Bëhet fjalë për modelin F-35C, një monstër qiellore që pritet t’i shtohet flotës ajrore amerikane në vitin 2018.

Kompania që prodhon këtë avion ka kryer testimet e para, ku F-35C dominoi ndaj rivalëve të tij.

Revista ushtarake “Aviation Week” raporton se gjatë testimeve një avion i tillë “rrëzoi” 15 avionë të tjerë, përfshirë edhe të gjeneratës paraardhëse të Lockheed Martin.

Avioni është i pajisur me “receptorë” që nuhasin dhe paralizojnë kërcënimin shumë më shpejt se avionët e tjerë. F-35C është në gjendje që përmes një sistemi të përparuar teknologjik të futet në sistemin e avionëve kundërshtarë dhe që aty të lexojë gjithë veprimet.

Jo vetëm kaq, por ky avion u dërgon avionëve të tjerë ‘miq’ të dhënat mbi kërcënime të mundshme duke krijuar kështu një përparësi thelbësore në një betejë ajrore.

Programi i avionëve luftarakë F-35 i Shteteve të Bashkuara është ndër më të tejzgjaturit. Fluturimi i parë testuees u krye më 15 dhjetor të 2005 nga F-35A. Më 31 korrik të 2015 F-35B iu bashkua ushtrisë amerikane, ndërsa më 2 gusht të 2016 iu bashkua edhe F-35A. F-35C parashikohet që të jetë gati për flotën ajrore të SHBA vitin e ardhshëm.

Aktualisht ushtria amerikane numëron 200 avionë të tillë. Kostoja e prodhimit të njërit prej tyre shkon në 94.6 milionë dollarë, ndërsa programi në total edhe për vitet pasaardhëse kap vlerën e 1.508 miliardë dollarëve.

Sipas planit të modernizimit të Pentagonit, synohet që brenda 2040, ky avion të jetë avioni kryesor në ushtrinë e SHBA dhe i dyti më i përparuar teknologjik, menjëherë pas F-22 Raptor.