23.09.2018

Apple pranon ngadalësimin e iPhone, paditet në gjykatë

27 Dhjetor 2017

Dy padi të ndara janë depozituar në gjykatat amerikane kundër Apple fill pasi gjiganti amerikan i teknologjisë pranoi se ngadalësonte qëllimisht pajisjet e saj të vjetëruara, që ndodheshin ende në përdorim nga klientë.

Paditë u dorëzuan në Kaliforni dhe Çikago nga një grup përdoruesish të iPhone, që pretendojnë se përfaqësojnë të gjithë klientët e tjera, që sipas tyre kanë pësuar një dëm të rëndë ekonomik.

Në padinë e dorëzuar në Los Anxheles të Kalifornisë, Stefan Boganivich dhe Dakota Speas citojnë dëmin e shkaktuar në përdorim, dëmin e shkaktuar nga rënia e vlerës dhe dëmin e shkaktuar nga blerja e baterive të reja, “të detyruar” nga Apple pa miratimin e tyre.

Gjiganti amerikan i teknologjisë pranoi se ngadalëson qëllimisht performancën e pajisjeve të saj të vjetra, por mohoi se e bën këtë për të nxitur përdoruesit e saj që të blinin modelet e reja.

Apple thotë se ndërhyn tek disa modele të vjetra të pajisjeve të saj, por vetëm për të ruajtur performancën e baterisë, që bie me kalimin e kohës. Kjo, sipas Apple, zgjat jetëgjatësinë e pajisjeve të saj për konsumatorët.