20.11.2018

Zyrtare: Kloppi nuk e merr Shaqirin në Beograd për ndeshjen kundër Zvezdës

5 Nëntor 2018

Xherdan Shaqiri nuk do të luajë në ndeshjen e 21-të të Liverpoolit kundër Crvena Zvezdës në Ligën e Kampionëve, e cila do të luhet në Beograd.

“Është një situatë ku do të shkojmë në qytetin fantastik të Beogradit si një ekip futbolli për të luajtur futboll”, ka thënë Jurgen Klopp për Liverpoolfc.com, transmeton Koha.net.

“Kemi dëgjuar dhe lexuar spekulimet për atë lloj pritjeje që Shaqiri do ta merrte atje dhe megjithëse nuk e kemi idenë se çfarë do të mundë të ndodhte, ne duam që të shkojmë atje dhe të fokusohemi 100 për qind në futboll dhe jo të mendojmë për diçka tjetër. Kjo është e gjitha”, ka sqaruar Klopp.

“Ne jemi Liverpool FC, një klub i madh, një ekip futbolli por nuk kemi ndonjë mesazh tjetër. Nuk kemi asnjë mesazh politik, absolutisht jo. Ne duam të fokusohemi që të jemi në këtë lojë të madhe futbolli, të jemi të lirë nga çdo gjë tjetër”, ka thënë ndër të tjera trajneri i Liverpoolit.

“Ne jemi të etur për të qenë të respektueshëm dhe të etur për të shmangur çdo shpërqendrim nga gara 90-minutëshe e cila është e rëndësishme për futbollin dhe vetëm për futbollin. Kështu që për atë arsye, Shaqiri nuk do të përfshihet dhe ai e pranon dhe e kupton këtë. Shaqiri është lojtari ynë, ne e duamë atë, dhe ai do të luajë për ne shumë herë, por jo të martën”, shtoi Kloppi.

Gjithashtu, Kloppi ka zbuluar edhe emrat e lojtarëve që do të udhëtojnë për në Beograd për të luajtur kundër Crvena Zvezdës: Fabinho, Van Dijk, Wijnaldum, Lovren, Milner, Keita, Firmino, Mane, Salah, Gomez, Alisson, Sturridge, Moreno, Lallana, Mignolet, Robertson, Origi, Solanke, Matip, Kelleher, Alexander-Arnold.