20.10.2019

Zvezda e paralajmëron Shaqirin

4 Shtator 2018

Klubi serb Crvena Zvezda beson se Xherdan Shaqiri, i lindur në Zhegër të Gjilanit, do të jetë “nën presion të pabesueshëm psikologjik” kur Liverpooli të udhëtojë në Serbi gjatë këtij viti.

Por klubi është zotuar se do të mbrojë Shaqirin kundër pritjes armiqësore që pritet ta ketë kur “Redsat” të vizitojnë kundërshtarin e tyre në kuadër të Ligës së Kampionëve.

Skuadra e Jurgen Kloppit do të udhëtojë në Beograd më 6 nëntor për t’u ndeshur me Zvezdën në kuadër të Grupit C.

Shaqiri ngjalli kontradikta gjatë Botërorit kur festoi golin e tij ndaj Serbisë, bashkë me Xhakën e Lichtsteinerin, duke bërë simbolin e shqiponjës me duar.

Prejardhja e tij nënkupton se një paraqitje e mundshme në stadiumin e Zvdezës, “Rejko Mitic”, i njohur edhe si “Marakana”, është bërë pikë kyçe e debatit në Beograd që nga shorti i Ligës së Kampionëve, transmeton Koha.net.

Dhe drejtori i përgjithshëm i Crvena Zvezdës, Zvezdan Terziq, pranon se ndonëse Shaqiri përballet me një mbrëmje potencialisht të vështirë, klubi i tij do të sigurojë që ajo të kalojë lehtësisht.

“Personalisht, nuk mund të imagjinoj që një shqiptar të luajë për Crvena Zvdezdën”, ka thënë ai në një intervistë për Kuririn serb. “Zvezda është klub serb, Partizani i Beogradit është klub jugosllav”.

“Mendoj se Shaqiri do të jetë nën presion të pabesueshëm psikologjik sepse do ta dijë se ku po vjen, ai e di se Zvezda është simbol i Serbisë dhe të luash në ‘Marakana’... nuk e di nëse ai do të luajë”.

“Natyrisht, si klub futbolli, ne i trajtojmë rivalët tanë në mënyra të barabartë, dhe nuk duhet të merremi me të kaluarën dhe historinë. Crvena Zvezda duhet të bëjë gjithçka është e mundur që ta bëjë Shaqirin të ndihet se ka ardhur për të luajtur dhe detyrë jona është ta mbrojmë atë në rast të ndonjë situate të padëshiruar. Të jemi nikoqirë të mirë”, tha ai.