19.10.2019

Smalling e zbulon çka foli me Messin pasi e përgjaku

12 Prill 2019

Qendërmbrojtësi i Manchester Unitedit, Chris Smalling, e ka zbuluar bisedën që e pati me Lionel Messin, të cilin e kishte lënduar në fushë. Mbrojtësi anglez pretendon se argjentinasi e kishte kuptuar që ndërhyrja ishte aksidentale.

Fitorja minimale 1:0 në Old Trafford është rezultat i mirë për Barcelonën, mirëpo Lionel Messi pësoi në një duel me mbrojtësin e Manchester Unitedit, Chris Smallingun. Argjentinasi pati vështirësi në frymëmarrje dhe me shikimin pas kësaj përplasjeje, transmeton Gazeta Express.

Qendërmbrojtësi i “Djajve të kuq”, Chris Smalling, ishte treguar optimist para ndeshjes për përballjen me pesë-herë fituesin e Topit të Artë, Lionel Messi, duke thënë: “Ma sillni atë këtu”.

Gjatë ndeshjes, e cila përfundoi me rezultat 1:0 për katalonasit, Smallingu e dëshmoi se me të vërtetë e kishte ndërmend ta ndalte argjentinasin, në çfarëdo mënyrë. Ai e gjakosi Messin në pjesën e parë, por gjyqtari Gianluca Rocchi nuk i dha goditje të lirë Barcelonës për këtë ndërhyrje pasi që lojtarët po luftonin për top.

“Ne folëm pas kësaj pak dhe ia dhamë dorën njëri-tjetrit. Ai e dinte se kishte qenë aksidentale. Fillimisht nuk e kuptova që e kisha goditur në atë mënyrë. Luis Suarez erdhi tek unë edhe pas ndeshjes”, është shprehur Smallingu.

“E patëm një ndeshje të mirë dhe pastaj vetëm ia dhamë dorën njëri-tjetrit dhe i uruam fat të mbarë. Është mirë që ti mund ta kesh një betejë gjatë ndeshjes dhe pas saj ka respekt sepse, në fund të fundit, ne po tentojmë vetëm ta japim më të mirën tonë”.

Përveç që në fushë ishte e qartë se po i rridhte gjaku nga fytyra, Messi e pësoi një blanë, e cila po i shqetëson katalonasit.  Argjentinasi mori trajtim mjekësor në fushë menjëherë e pastaj ishte në gjendje për ta vazhduar lojën.

Sipas të përditshmes spanjolle, AS, ylli i Barcelonës nuk mbeti me hundë të thyer, mirëpo pati vështirësi me frymëmarrjen për shkak të lëndimit të ashtit të hundës. Si pasojë, ai u detyrua të merrte frymë përmes gojës.

Madje, lajmet e këqija nuk përfunduan këtu për Messin. AS raporton se lëndimi në vetull bëri që ai të mos shohë mjaftueshëm mirë me syrin e majtë.