19.10.2019

Shqipëria mund 3-0 Andorrën dhe kthen optimizmin

25 Mars 2019

Kombëtarja shqiptare e futbollit rigjeti golat dhe pikët, të parat në eliminatoret e Europianit 2020, por mjaft domethënëse për shpresat e kuqezinjve për të shkuar në finalen e turneut.

Përballë një rivali modest dhe në një stadium edhe më modest në këto nivele të larta, ekipi i drejtuar nga trajneri Ervin Bulku u imponua 3-0 në një ndeshje me thuajse një drejtim.

Traversa që në minutën e parë nga Uzuni i tregoi vendasve se cili ishte objektivi i Shqipërisë dhe pak çaste më vonë kuqezinjtë pretenduan edhe për një penallti. Por, goli që zhbllokoi sfidën erdhi nga një gabim i portierit Gomes dhe finalizimi i Armando Sadikut me portën e boshatisur.

Edhe në fraksionin e dytë Shqipëria ruajti epërsinë në lojë, por pavarësisht volumit të rasteve, goli i dytë erdhi vetëm në minutën e 88 me Bekim Balajn. Topi i sulmuesit shkodran preku një mbrojtës dhe portierin para se të pushonte në rrjetë.

Kur skuadra vendase numëronte sekondat duke mbyllur një mbrëmje për t’u harruar, Amir Abrashi shënoi me kokë një gol që uli siparin e sfidës në Estadi Nasional.

Tani Shqipëria është në vendin e tretë në grupin H me pikë të barabarta me Islandën.

Në përballjet e tjera të grupit, Franca u imponua 4-0 me Islandën dhe Turqia mundi 4-0 Moldavinë./tch/