18.12.2018

Revista e njohur Forbes: A është Kombëtarja e Kosovës historia më e madhe e suksesit në Ligën e UEFA’s?

22 Nëntor 2018

Revista e njohur Forbes e ka radhitur Kombëtaren e Kosovës si storie suksesi pas fitoreve të njëpasnjëshme që shënoi në përballjet me kombëtaret tjera në Ligën Kombëtare të UEFA’s, raporton Periskopi.

Kjo revistë, shkrimin e nisë me tronditjet që thotë se i pësoi Liga Kombëtare e UEFA’s qysh në raundin e parë të ndeshjeve.

Sipas revistës, përderisa për ekipet e mëdha kjo Ligë ishte relaks, ekipeve të vogla ua mundësoi shënimin e historisë së tyre të futbollit, duke aluduar edhe në Kombëtaren e Kosovës.

“Sigurisht, historia e Kosovës në futbollin evropian daton që nga viti 2016, por fitorja e mbrëmshme 4-0 ndaj Azerbajxhanit, shënon një nga paraqitjet më të mira të ekipit. Vendi që më 2008 shpalli Pavarësinë, luftoi shumë e shumë vetëm që të pranohet në UEFA. Krejt këtë luftë, Kosova e nisi pa asnjë lojtar, pa stadium, por me pak më shumë shpresë. Tani, ata kanë një shans të mirë për t’u kualifikuar në Euro 2020”, shkruan Forbes në artikullin për Kosovën, raporton Periskopi.

Revista tutje shkruan se për shkak të grandes së ulët, Kosova ishte renditur e treta e fundit në radhët e Lidhjes së Kombeve, e cila përmban katër liga të ndara në katër grupe. Tani Kosova do të bashkohet me Bjellorusinë, Maqedoninë dhe Gjeorgjinë në luftën për të vazhduar tutje.

“Sistemi mund të jetë i komplikuar, për të gjithë në Prishtinë ishin të vetëdijshëm se si funksiononte. Ata hynë në ndeshjen e mbrëmshme duke e ditur se një fitore e radhës do të garantonte progresin e tyre, andaj stadiumi ishte plot tifozë. Zhurma e tyre ishte aq e madhe për secilën prej katër golave. Ngjashëm edhe emocionet e lojtarëve. Një nga problemet më të madhe të Kosovës ishte bindja e lojtarëve më të mirë që t’i bashkohen Kombëtares së Kosovës, dhe të largohen nga vendet me të cilat luanin deri më tani”, shkruan tutje revista.

“Në fakt, në ndeshjen e vitit 2016 midis Zvicrës dhe Shqipërisë, gjysma e atyre që luajtën aty, mund të kishin luajtur për Kosovën. Yjet e kalibrit të Xherdan Shaqirit të Liverpoolit dhe Granit Xhakës të Arsenalit, si dhe të ish-yllit të Manchester United, Adnan Januzaj, kualifikohen për Kosovën, në mesin e  qindra të tjerëve të shpërndarë në ligat më të lartë evropiane”.

Kur ka rezultate të mira në përballje, shanset që të pranojnë ftesat shqiptarët që luajnë në liga të tilla, janë më të mëdha.

Në artikull përmenden lojtarët që shkëlqyen në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Azerbajxhanit, siç ishin Arbër Zeneli i klubit holandez Heerenveen dhe Milot Rashica nga gjiganti i Werder Bremenit.

Këta të dy si të rinj në moshë, vendosën të luajnë për Kosovën, shkruhet ndër të tjerash në artikullin e Forbes.