18.12.2018

Modric: Dhënia fund e dominimit të Ronaldos dhe Messit, fitore për futbollin

4 Dhjetor 2018

Luka Modric ka thënë Topin e Artë ua kushton të gjithë futbollistëve që dikur e merituan ta fitonin këtë çmimin, por nuk ia dolën si pasojë e dominimit të Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos.

Ikona e Barcelonës Messi dhe superylli i Juventusit Ronaldo e dominuan këtë çmim individual duke e fituar nga pesë herë secili në 10 vitet e fundit, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, Modric i dha fund dominimit njëdekadësh të dyshes, pas suksesit të arritur këtë vit duke e udhëhequr Kroacinë drejt arritjes historike në finale të Kupës së Botës 2018 dhe triumfit në Ligën e Kampionëve për vitin e tretë më radhë me Real Madridin.

Modric – i cili këtë vit e fitoi edhe çmimin Lojtari më i Mirë i FIFA-s – i pranoi cilësitë e jashtëzakonshme të Messit dhe Ronaldos, por tha se suksesi i tij të hënën në Paris është fitore për futbollin.

“Këta dy [Messi dhe Ronaldo] kanë qenë në nivel të jashtëzakonshëm në 10 vitet e fundit”, tha Modric.

“Disa lojtarë kanë mundur ta fitojnë atë në të kaluarën, si Xavi, Andres Iniesta apo Wesley Sneijder, por nuk ndodhi. Njerëzit donin diçka tjetër, s’e di. Mendoj se sonte kjo është fitore për futbollin”, theksoi Modric.

“Jam i lumtur që jam fituesi, por ky çmim shkon për këta lojtarë që mbase e merituan ta fitonin, por nuk e fituan”, shtoi ai. /Gazeta Express/