16.11.2018

Kosova fitore bindëse si nikoqire kundër Ishujve Faroe

10 Shtator 2018

Kosova ka arritur fitoren e parë në Ligën e Kombeve duke i mundur Ishujt Faroe me rezultat 2-0, duke shkruar historinë në një ndeshje zyrtare të zhvillluar në kryeqytet.

Pjesa e parë e sfidës së vlefshme për Grupin 3 në ligën D të Ligës së Kombeve, u mbyll pa gola. Skuadra jonë e pati dominimin dhe iniciativën në 45 minutat e para, mirëpo mungoi konkretizimi, raporton telegrafi.

Të zgjedhurit e Bernard Challandes bënë një lojë sulmuese duke e mbajtur kundërshtarin të mbyllur në pjesëlojën e vet. Krahas posedimit të mirë të topit, ekipi nikoqir pati edhe disa raste të mira shënimi.

Theksojmë se në gjysmën e parë, tifozët e Kosovës e kanë nderuar edhe një herë legjendën e futbollit shqiptar, Fadil Vokrri. Në ndeshjen e parë të zhvilluar në stadiumin e Prishtinës që mban pikërisht emrin e futbollistit legjendar dhe presidentit ikonik të Federatës së futbollit të Kosovës, tifozët kishin përgatitur një koreografi të veçantë.

Në tribuna është ngritur numri 9, i bartur nga Vokrri, si edhe fotografia e tij me mbishkrimin “Our Hero” (Heroi ynë).

Pas dominimit dhe rasteve në pjesën e parë, dhe vazhdimit të iniciativës edhe në fraksionin e dytë, nikoqirët e shënuan golin e epërsisë.

Ishte Arbër Zeneli, i cili me një goditje të bukur e ndëshkoi portierin kundërshtar. Dhe natyrisht se goli iu dedikua legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Nuk zgjati shumë dhe erdhi goli i dytë. Një harkim në zonë nga Milot Rashica, e shfrytëzuan futbollistët vendas dhe as goditjes nga Amir Rrahmani, Atdhe Nuhiu e futi topin në rrjetë.