25.05.2018

Futbolli kosovar në Evropë, skuadrat e licencuara nga UEFA dhe të refuzuarat

11 Maj 2018

Drita, Prishtina, Trepça89, Liria, Llapi dhe Gjilani janë klubet që janë licencuar, ndërsa ekipet që janë refuzuar janë Feronikeli, Vëllaznimi, Drenica dhe Flamurtari.

Drita dhe Prishtina janë zyrtarisht dy skuadrat nga Superliga e Kosovës në futboll, që do të garojnë këtë sezon në garat europiane të UEFA-s.

Në një konferencë për shtyp, FFK-ja ka treguar skuadrat që kanë aplikuar me sukses duke u pranuar dhe skuadrat që janë refuzuar për licencim për garat e UEFA-s, për këtë sezon.

Drita, Prishtina, Trepça89 , Liria, Llapi dhe Gjilani janë klubet që janë licencuar, ndërsa ekipet që janë refuzuar janë Feronikeli, Vëllaznimi, Drenica dhe Flamurtari.

Zyrtari i FFK-së, Bajram Shala tha se ky proces organizohet për herë te dytë radhazi në mënyrë të pavarur.

“Këtë edicion, prej 12 klubeve të Superligës, 10 kanë qenë pjesë e procesit, e vetëm dy jo. Dy skuadrat që nuk ishin pjesë e këtij procesi janë dy skuadrat që në aspektin sportiv janë larguar në fund të këtij edicioni nga Superliga, Besa dhe Vllaznia. Ndërkohë, të 10 klubet e tjera kanë aplikuar të paktën formalisht për të qenë pjesë e këtij procesi, e nga këto, 6 kanë pasur një aplikim të suksesshëm, që nënkupton Komisioni i shkallës së parë ka vendosur të marrin licencën për garat e UEFA-s për sezonin 2018-2019, kurse 4 prej tyre janë refuzuar dhe do të kërkojnë ta marrin licencën për edicionet e radhës”, tha Bajram Shala.

Prishtina dhe Drita janë dy klubet që do të garojnë zyrtarisht në garat e UEFA-s, por mbetet të mësohet se cila skuadër do të garojë në Champions League dhe cila në Europa League.