19.09.2017

Fitore e jashtëzakonshme e Dritës përballë Prishtinës

18 Mars 2017

Drita ka arritur të marrë një fitore të jashtëzakonshme në derbi ndaj Prishtinës.

Skuadra gjilanase triumfoi 0-1 falë një goli nga Leotrim Kryeziu, por e dominoi kampionin e shumëfishtë të Kosovës gjatë 90 minutave, duke mos e lënë të bëjë asnjë goditje në gol.

Derbi i madh i futbollit kosovar erdhi me dy skuadrat që kishin objektiva të kundërta.

Prishtina për të mbetur në luftë për titull të kampionit, ndërsa Drita për t’i ikur barazhit.

Në pjesën e parë, të dyja skuadrat ishin të rezervura dhe nuk preferonin të hapeshin shumë.

45 minutat e para përfunduan pa gola dhe pa ndonjë rast të mirë shënimi.

Pjesa e dytë nisi mirë për gjilanasit të cilët krijuan dy raste të mira shënimi.

Fillimisht Bergin Maliqi rrezikoi nga gjuajtja e lirë në minutën e 55-të, por topi shkoi jashtë portës.

Tre minuta më vonë, talenti gjilanas Leotrim Kryeziu provoi nga gjuajtja e lirë por shtylla shpëtoi vendasit.

Rastin më të mirë pas një ore lojë për vendasit e kishte sulmuesi Shender Kelmendi por që reaguan mysafirët për të mbetur rezultati 0-0.

Drita arriti ta gjejë golin e epërsisë në minutën e 77-të.

Fillimisht Arbnor Ramadani goditi fuqishëm dhe qëlloi shtyllën, ndërsa topin e rikthyer në portë e dërgoi Leotrim Kryeziu për 0-1.

Deri në fund të ndeshjes, vendasit kërkonin me çdo kusht golin e barazimit por mbrojtja mysafire ishte në nivel.

Pas kësaj fitore, Drita ngritët në pozitën e nëntë me 21 pikë të tubuara duke i shtuar gjasat për t’i ikur barazhit.

Ndërkohë Prishtina mbetet në pozitën e tretë me 42 pikë të grumbulluara dhe kështu i pakon gjasat për titull të kampionit./telegrafi/