18.12.2018

Euro 2020, Kosova në grup me Anglinë

2 Dhjetor 2018

Sot në Dublin është tërhequr shorti për kualifikimet e Evropianit 2020. Për herë të parë pjesë e këtij shorti ishte edhe Kosova, e cila në këtë ceremoni u përfaqësua nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, përzgjedhësi Bernard Challandes, trajneri Muharrem Sahiti dhe menaxheri i ekipit kombëtar, Bajram Shala.

Fati deshi që Kosova të tërhiqet në Grupin A, grup që përbëhet prej pesë ekipeve dhe aty krahas Kosovës do të jetë edhe gjiganti i futbollit, Anglia, pastaj Republika e Çekisë, Bullgaria dhe Mali i Zi.

Një grup i vështirë, por jo edhe i pamundur për t’u kaluar, sidomos duke parë rritjen e ekipit tonë dhe përvojën e fituar në ciklin e kaluar kualifikues të Botërorit 2018, por mentalitetin fitues të krijuar në garat e Ligës së Kombeve, ku Kombëtarja jonë arriti të triumfojë në Grupin 3 të Ligës D. Kampionati Evropian 2020, i cili do të mbahet në 12 qytete të shteteve të ndryshme do t’i ketë 24 ekipe pjesëmarrëse.

20 nga ekipet që do të kualifikohen në finalet e Evropianit do të përcaktohen nëpërmjet kualifikimeve që nisin në muajin mars e përfundojnë në nëntor të vitit të ardhshëm. Pra, biletën për Euro 2020 e sigurojnë dy të parat e secilit grup, derisa katër vendet e tjera do të vendosen në “play-off”-in e Ligës së Kombeve që zhvillohet në mars të vitit 2020, e ku Kosova tashmë e ka siguruar një vend në gjysmëfinale dhe do ta ketë si mundësi shtesë, në rast se nuk e arrin kualifikimin nëpërmjet ciklit të rregullt kualifikues.

Euro 2020 grupet!

Grupi  A: Anglia, Republika Ceke, Bullgaria, Mali i Zi, Kosova

Grupi  B: Portugalia, Ukraina, Serbia, Lituania, Luksemburgu

Grupi  C: Holanda, Gjermania, Irlanda e Veriut, Estonia, Bjellorusia

Grupi  D: Zvicra, Danimarka, Republika e Irlandës, Gjeorgjia, Gjibraltari

Grupi  E: Kroacia, Uellsi, Sllovakia, Hungaria, Azerbaxhani

Grupi  F: Spanja, Suedia, Norvegjia, Rumania, Ishuj Faroe, Malta

Grupi  G: Polonia, Austria, Izraeli, Sllovenia, Maqedonia, Latvia

Grupi  H: Franca, Islanda, Turqia,  Shqipëria, Moldavia, Andorra

Grupi I: Belgjika, Rusia, Skocia, Qipro, Kazakistani, San Marino

Grupi A J: Italia, Bosnja e Hercegovina, Finlanda Greqia, Armenia, Lietenshtejni.