21.10.2018

Behrami e quan politik vendimin e Zvicrës për t'ia mbyllur dyert

7 Gusht 2018

Me pak fjalë e ka bërë të ditur vendimin për pensionim nga Përfaqësuesja e Zvicrës, por përfundimi i karrierës ndërkombëtare nuk është i tillë çfarë e ka pritur Valon Behrami, lojtari shqiptar me më së shumti paraqitje në ngjarje të mëdha të futbollit.

“Karriera ime ndërkombëtare ka përfunduar”, thuhet në njoftimin e Valon Behramit, të bërë publik në rrjete sociale të hënën pasdite, shkruan sot “Koha Ditore”.

Të njëjtën ditë ai ka pasur një bisedë me përzgjedhësin e Zvicrës, Vladimir Petkoviq, që në një mënyrë ia ka mbyllur dyert e Përfaqësueses mesfushorit 33-vjeçar. Këtë e ka pranuar vetë futbollisti i lindur në Mitrovicë. Ai ndihet i befasuar dhe pak i hutuar. Sipas mediave zvicerane, arsye për vendimin e Petkoviqit mund të jetë roli i Behramit në ekip, ndikimi i tij i madh në zhveshtore.

“Petkoviq më ka telefonuar sot në mesditë. Kam menduar se është një bisedë e zakonshme, një bisedë për mirësjellje. Por, përkundrazi, ai ma tregoi derën”, ka thënë Behrami në një intervistë për RSI.